November 25, 2024

Berisha: Gëzuar 22 Marsin, Ditën e parë të Demokracisë!

Nga Sali Berisha

Sot mbarë kombi ynë nderon 22 Marsin e vitit 1992 si ditën e parë të lirisë së tij, ditën në të cilën nën udhëheqjen e PD-së, shqiptarët – njerëzit më të shtypur dhe më të mjeruar, më të izoluar të globit – çelën me votën e tyre të lirë, rrugën e ndërtimit të sistemit demokratik të bazuar në shtetin ligjor dhe vlerat e lirisë.

Si sot 26 vite më parë, mbi 1.7 milionë të rinj, të reja, burra dhe gra, përmbysën me votën tyre të lirë, diktaturën e genocidit, shtypjes më të egër dhe krimeve kundër njerëzimit që Shqipëria dhe Europa kishin njohur me parë, diktaturën mizore të Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të Pasluftës.

Më 22 Mars të vitit 1992 ne nisëm udhëtimin tonë në rrugën e lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar, të mbrojtjes së interesit tonë kombëtar dhe çështjes shqiptare të daljes nga izolimi dhe të renditjes së Shqipërisë në anën e aleatëve të saj perëndimorë.

Si sot 26 vite më parë ne nisëm rrugën e integrimit të vendit në institucionet europiane dhe euroatlantike: Këshillin e Europës, Bashkimin Europian dhe NATO!

Sot, pas 26 vitesh, me gjithë vështirësitë serioze në udhëtimin e saj, Shqipëria, nga njeri prej tre vendeve më të varfra të botës, renditet me vendet më të ardhura të mesme të larta. Ajo është anëtare e NATO-s, e Këshillit të Europës dhe vend kandidat për anëtar të BE-së; Kosova është e lirë dhe e pavarur, shqiptarët në tërësi janë më të lirë se kurrë në historinë e tyre.

Por sot, përsëri vendi ndodhet në një udhëkryq tejet të rrezikshem. Si në asnjë vend tjetër të Europës dhe botës, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama me narkoqeverinë e tij në pushtet ka vendosur narkoshtetin e tij dhe shndërruar Shqipërinë në vendin e sunduar nga droga, krimi, trafiqet kriminale, në vendin e braktisjes masive nga qytetarët e tij!

Duke shprehur me nderimin më të madh para të gjithë atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që me votën e tyre më 22 Mars të vitit 1992 shembën sistemin barbar komunist të Enver Hoxhës, iu bëj thirrje shqiptarëve të ngrihemi dhe me guximin tonë të përmbysim, të flakim në koshin e plehrave të historisë, narkoshtetin e Edvin Ramës dhe klikës së tij.

Edhe njëherë, Gëzuar 22 Marsin, ditën e bardhë, ditën e parë të Demokracisë!

Facebook Comments

MineralHygienics.com