Në kohën kur po bëhej gati për votim, hidhet gaz lotsjellës në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ishte deputetja Fitore Pacolli dhe deputeti Xhelal Sfecla, ata të cilët kanë hedhur gazin në Kuvend.
Seanca është ndërprerë, dhe Kuvendi ka shkuar pauzë, raproton “Bota sot”. Nga salla e Kuvendit janë larguar të gjithë deputetët, ndërkohë që seanca pritet të vazhdojë pas largimit të tymit.
Kuvendi i Kosovës pritet që sot të procedojë me votimin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Votimi për demarkacionin pason debatin prej rreth nëntë orëve që u zhvillua të martën në seancën e jashtëzakonshme, e cila përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë.
Paraprakisht gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi ka ndërprerë seancën duke mos proceduar me votimin për demarkacionin, për shkak të mungesës së votave të nevojshme për ratifikim. Andaj, edhe sot, mbetet nën pikëpyetje nëse numri prej 80 votave të deputetëve, apo dy të tretave të numrit të përgjithshëm, është arritur të sigurohet që të procedohet me votimin.
Aktualisht, marrëveshja për demarkacionin po mbështetet nga partitë në pushtet, si Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, si dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, pavarësisht këtij fakti, brenda këtyre subjekteve politike ka deputetë që po e mbajnë në dilema dhe pikëpyetje votën e tyre për apo kundër Demarkacionit, me çka po e mbajnë të komplikuar edhe gjithë procesin e ratifikimit të marrëveshjes.
Kurse kundër marrëveshjes janë pozicionuar Lëvizja Vetëvendosje, Grupi i Deputetëve të Pavarur si dhe Lista Serbe.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.
Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.
Dështimi eventual i ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, besohet se do të krijonte pasoja të mëdha politike për Kosovën, qoftë për kah dështimi i marrëveshjes me Malin e Zi apo edhe me humbjen e rastit për liberalizimin e vizave, ngase ratifikimi mbetet kusht i Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës për lëvizjen e lirë, pa viza./rel