INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë ku evidenton se, në tremujorin e katërt 2017, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 1.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është rritur 0.4 %.
Ndryshimi vjetor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë
Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 3.5%, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 11.3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016.
Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, ka pësuar rënie në nivelin 0.8%, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 5.2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016.
Ndikimi i grupeve në tregtinë me pakicë
Në terma vjetorë, indeksi i volumit të shitjeve, në tregtinë me pakicë në tremujorin e katërt 2017 është +1.3%. Grupet të cilat kanë ndikuar janë: grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +2.7 pikë përqindje, grupi “Artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” -0.1 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e Hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” -1.3 pikë përqindje.
Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve, i përshtatur sezonalisht në tregtinë me pakicë
Në tremujorin e katërt 2017, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, ka pësuar rënie me 0.3%, krahasuar me tremujorin e tretë 2017.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur 10.8%, krahasuar me tremujorin paraardhës. Indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht në tregtinë me pakicë, për grupin “Produkte joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është ulur 4.7% kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht është ulur 0.1%, kundrejt tremujorit të tretë 2017.