Skandalet e njëpasnjëshme të Monika Lubonjës e kanë bërë atë të pambrojtshme dhe tani ajo nuk është më në krye të institucionit më të rëndësishëm kulturor për fëmijë në vend. Prokuroria nisi hetimin për drejtoren Lubonja një muaj më parë, pasi emisioni investigativ “Boom” denoncoi korrupsionin dhe abuzimet në Qëndrën Kulturore Kombëtare të Fëmijëve.
Emisioni investigativ provoi sesi shiteshin për interes të aktiviteteve private repertori i shfaqjeve të Teatrit të Kukullave; se si çelësat e këtij institucioni i ishin besuar një gazetashitësi pranë institucionit dhe sesi kushtet e sigurisë në Teatrin e Kukullave vinin në rrezik fëmijët. Me nisjen e hetimit nga Prokuroria, edhe Ministria e Kulturës nisi një hetim të brendshëm nga i cili, mesa duket, ka rezultuar se denoncimet e bëra në emisionin investigativ “Boom” ishin të vërteta dhe është marrë vendimi për largimin e Monika Lubonjës. Është akoma e paqartë, nëse ajo është larguar me dorëheqje apo me shkarkim. E paqartë mbetet edhe nëse largimi nga detyra është bërë me qëllim për të ndikuar në mbylljen pa zhurmë të dosjes së prokurorisë.
Një tjetër skandal i denoncuar në “Boom”, ishte edhe ai kupave të shpërndara me rastin e 70 vjetorit të Qendrës së Fëmijëve, të drejtuar nga Monika Lubonja. Tenderi i këtyre kupave, u zhvillua 1 javë pas aktivitetit, ku mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës.