Presidenti Ilir Meta në një intervistë dhënë për gazetarin Sokol Balla në “Vizion Plus” ka komentuar çështjen e negociata me Greqinë.
Kreu i shtetit ka deklaruar se mes tij dhe qeverisë nuk ka asnjë problem, por vetëm zbatim të ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Nuk shikoj asnjë problem mes Presidentit dhe qeverise. Kemi qene në një proces bashkëpunimi të vazhdueshëm”,- tha Presidenti lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë.
Lidhur me emrat e negociatorëve, Presidenti tha se është një proces verifikimi që po vijon.
Kreu i shtetit u shpreh se vonesa në lidhje me negociatat e reja ka të bëjë me respektimin strikt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Marrëveshja e detit e 2009 nuk ekziston më. Nuk kam asnjë emocion për të. Marrëveshjen e detit, të gjithë po e ndjekin këtë proces me shume kujdes. Nuk ndikohem nga ato që thuhen ne Greqi. Marrëveshja e re duhet të jetë e drejtë dhe ta mbyllë këtë çështje njëherë e mirë”,- u shpreh Presidenti, Ilir Meta.
I pyetur nëse Qeveria “Rama” ka tendenca të favorizojë Greqinë në marrëveshjen e detit, Presidenti tha se nuk ndikohej nga qëndrimet e mediave për këtë çështje. “Nuk besoj që qeveria ka interes të favorizojë Greqinë”,- tha Meta.
“Marrëveshja është e jashtëzakonshme sepse nuk ndodh gjithmonë të diskutohet territori, është e jashtëzakonshme sepse para një dekade u shpall e pavlefshme marrëveshja e vitit 2009. Na duhet ta zgjidhim një herë e mirë dhe në mënyrë të qëndrueshme. Në mënyrën më të drejtë për të dyja vendet dhe të pakontestueshme njëherë e përgjithmonë”,- tha Presidenti Meta.