Marina japoneze njoftoi sot se ka emëruar për herë të parë një grua për të drejtuar një flotë luftanijesh, mes të cilave edhe më e madhja e ndërtuar nga japonezët pas Luftës së Dytë Botërore.
Ryoko Azuma, 44 vjeçe, do të jetë në krye të një flotë të përbërë nga katër luftanije dhe do të ketë 1 000 anëtarë të ekuipazhit nën komandën e saj.
“Kjo është hera e parë që një grua emërohet në këtë post”, njoftoi një zëdhënës i Forcave Detare japoneze të Vetëmbrojtjes.
“Por, ajo nuk është zgjedhur sepse është një grua”, theksoi ai.
Rreth 14 000 gra shërbejnë aktualisht në Forcat e Vetëmbrojtjes (emri i ushtrisë japoneze), ose vetëm 6% i efektivit të saj.