Një nga fitueset e zgjedhjeve në Itali është edhe Piera Aiello, e cilësuar si kandidatja “pa fytyrë” që ka fituar tashmë mandatin e deputetës nën siglën e M5S dhe do të përfaqësojë në Parlament Siçilinë, siç shkruan “Corriere Della Sera”.
Piera Aiello është një grua trime. Një grua që gjithmonë ka sfiduar rregullat e pashkruara të tokës së saj, Siçilisë, ndërsa është “pagëzuar” me nofkën “pa fytyrë”, pasi gjatë gjithë fushatës nuk ka qenë në gjendje të zbulojë fytyrën e saj në kuptimin literal të shprehjes.
Në takimet ajo ka folur pa treguar fytyrën, në faksimile nuk kishte foto, po ashtu edhe në fletën e votimit ishte vetëm emri i saj dhe emri i partisë përfaqësuese pranë logos së M5S.
E detyruar ta fshehë fytyrën për çështje sigurie, pasi u martua me djalin e një mafiozi e më pas u bë dëshmitare e drejtësisë kur i vranë bashkëshortin, Piera tashmë do të duhet të zbulohet në Parlament Aiello ka arritur të marrë në këto zgjedhje plot 51% të votave.
Ka lindur me 2 korrik 1967, dhe prej 26 vitesh jeton në anonimat total në një vend të fshehtë. Në moshën 14-vjeçare, ajo u njoh me Nicolòn, djali i mafiozit siçilian Vito Atria, fakt që ajo e mori vesh kur Don Vito e detyroi të martohej me djalin e tij përndryshe ai do t’i vriste gjithë familjen. Ajo u detyrua të martohej me një burrë që nuk e donte, e rrihte dhe e mbante të mbyllur duke i ngjallur vetëm urrejtje.
Piera ishte dëshmitare e vrasjes së bashkëshortit 27-vjeçar më 24 qershor të vitit 1991, e bashkë me kunatin shkoi në zyrën e gjyqtarit Paolo Borsellino, për të dëshmuar gjitçka dinte.
“Dy burra qëlluan tim shoq. I njihja. Ishin dy vrasës. Sado që nuk e duroja dot tim shoq nuk mund të rrija pa folur. Ai ishte vetëm 27 vjeç kur dha jetë në krahët e mi.”
Pasi dëshmoi, ajo hyri në programin e mbrojtjes shtetërore. Që nga ajo kohë nuk e ka treguar fytyrën dhe vendosi t’i përkushtonte jetën mbrojtjes së të drejtave të dëshmitarëve të drejtësisë.
Ajo ka deklaruar se ka vendosur të kandidojë pikërisht për faktin se tashmë do që të kthejë fytyrën.
“Vendosa të bëhem kandidate, sepse dëshiroj ta kthej fytyrën time“,- ka deklaruar ajo mes të tjerash.
Historinë e saj Piera e ka treguar edhe në librin “Mafia e mallkuar”, të cilin e ka shkruar me ndihmën e gazetarit Umberto Lucentini, dhe prestigjiozes “The Guardian” e shumë TV-ve shtetërore. E ndërsa ajo mund të ekspozojë më në fund fytyrën, siguria rreth saj do të vazhdojë të jetë e lartë.