Në harkun e 4 ditëve, Arsenal ka pësuar disfatën e dytë ndaj Manchester Cityt, me po të njëjtin rezultat, 0-3. Të dielën pasdite, dy skuadrat diskutuan finalen e Carabao Cup, trofe që shkoi për skuadrën e Guardiolës, ndërsa sonte u përballën në kuadër të takimit të javës së 28 të Premier Leagues, në ‘Emirates Stadium’.
Edhe këtë mbrëmje, ‘Qytetarët’ dominuan sfidën dhe arritën të vulosin rezultatin brenda 33 minutave, kur Bernardo Silva, Sane dhe David Silva, kishin dërguar 3 herë topin në rrjetën e portierit Cech. Në fillim të pjesës së dytë, Aubameyang pati një mundësi të mirë për të rihapur ndeshjen, por penalltinë e ekzekutuar nga ai, e grushtoi mjaft mirë portieri Ederson.
Me këtë fitore, Manchester City e çon sërish në 16 pikë, diferencën me Unitedin ndjekës dhe verdikti për titullin, mungon vetëm matematikisht. Nga ana tjetër, Arsenali i Wengerit del përfundimisht jashtë garës për një vend në Champions League, pasi vendi i 4-t është plot 10 pikë larg dhe do t’i duhet të përqendrohet në triumfin në Europa League./SS/