Lulzim Basha, i shprehu Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn mbështetjen e plotë të opozitës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Gjatë takimit në Tiranë me Johannës Hahn, kreu i opozitës e nxiti Komisionerin për të ndikuar për një rekomandim pozitiv nga Komisioni.
“Pavarësisht problemeve të keqqeverisjes në vend, shqiptarët aspirojnë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe kanë përqafuar vlerat e Bashkimit Europian”- u shpreh Lulzim Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita beson se hapja e negociatave do të ofrojë një mekanizëm të fortë dhe të pavarur për monitorimin e nivelit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të cilësisë së qeverisjes në Shqipëri.
Basha siguroi Komisionerin Hahn për vazhdimin e angazhimit pa kompromis të opozitës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të zbatimit në mënyrë kushtetuese dhe të paanshme të reformës në drejtësi, si dhe plotësimin e kritereve të tjera për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Në takimin me komisionerin Hahn, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita është e vetëdijshme se vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë prova dhe rezultate konkrete dhe se Partia Demokratike do të luajë rol te rëndësishëm për arritjen e tyre.