November 24, 2024

Aksidenti tragjik në Velipojë, ekspertët nxjerrin fajtorin

Zbardhen detaje nga raporti i ekspertëve të qarkullimit rrugor të Shkodrës, në lidhje me aksidentin tragjik që ndodhi ditë më parë në aksin Shkodër-Velipojë.

Burime kanë thënë  se Edmond Preka, i cili drejtonte automjetin “Alfa Romeo” ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara.

Në aksident kanë ndikuar edhe mungesa e ndriçimit në rrugë dhe lagështia. Po ashtu ka dyshime se dy drejtuesit e makinave mund të kenë qenë duke udhëtuar me drita të gjata, çka mund ta kenë vështirësuar shikimin e njëri-tjetrit.

Por pa faj nuk është dhe drejtuesi i fuoristradës. Sipas ekspertëve edhe ky automjet ka qenë duke ecur me shpejtësi të lartë.

Përplasja mes dy mjeteve ka ndodhur në vijën ndarëse të korsive, çka e vështirëson edhe nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare. Megjithatë shkaktar i aksidentit ekspertët fajësojnë Edmond Prekën.

Përplasja e dy automjeteve ishte fatale për babain 40-vjeçar, djalin më pak se një vjeç dhe dy vajzat e tij. Nëna, 36 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy personat që ndodheshin në mjetin tjetër.

Aksi ku ka ndodhur aksidenti, pak kilometra larg plazhit të Velipojës është një rrugë e drejtë, ku makinat ecin me shpejtësi tej normave. Çdo vit, sidomos sezonin e verës, kjo pjesë rruge provokon aksidente të rënda.

Facebook Comments

MineralHygienics.com