Kryetari i opozitës Lulzim Basha u ka treguar zgjidhjen e problemit të tyre, punëtorëve të By Pass-it Fier e Vlorë, që janë mbledhur sot me thirrje dhe pankarta para Kuvendit duke kërkuar 16 muaj paga të prapambetura.
Basha i ka takuar dhe ka bashkëbiseduar ata para se të hynte në seancën parlamentare. Pasi i dëgjoi, deklaroi:
“Përshëndes punëtorët e By Pass-it të Fierit dhe Vlorës që janë mbledhur për të dytën herë para parlamentit.
PD dhe unë e njohim problemin tuaj. Mosmarrja e pagave është pasojë e drejtpdrejtë e korrupsionit.
Ju e dini që firma kontraktore që mori nënkontraktoret, ka lënë një garanci tek shteti shqiptar. Kjo garanci mjafton dhe tepron që shteti pas largimit të kësaj firme mashtruese t’ua paguajë djersën tuaj.
Kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion qeveritar dhe kryeministror. Ka me dhjetra telefonata të zyrtarëve afër kryeministrit dhe zyrtarëve të tij që fshehin një aferë të pistë korruptive. Edi Rama dhe Damian Gjiknuri fshehin një aferë të pistë që të marrin paratë për veten e tyre.
Së shpejti ne do të ngremë zërin për këtë aferë. Nuk mund të jetë shteti i drejtë ai që kur vjen puna tek detyrimet të arreston – por kur vjen te të drejtat nuk i respekton e në këtë rast, të drejtën tuaj për të marrë paratë nga garancia që ka lënë; nëse kontraktori dështon, shteti duhet t’ua kthejë ato njerëzve që u detyrohet. Ju keni kryer punime dhe shteti i ka pranuar.
Ne do të bëjmë gjithçka që ju të merrni paratë që ju detyrohet shteti shqiptar. Dua t’ju inkurajoj që keni ngritur zërin,” theksoi Basha.
Deklarata e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha:
Së pari, dua t’i përshëndes të gjithë punëtorët, punonjësit e bypass-it të Fierit, Vlorës dhe përfaqësuesit e tyre që janë mbledhur sot në këtë protestë për herë të pestë dhe për të dytën herë radhazi para Parlamentit.
Dua t’ju them se Partia Demokratike, opozita dhe unë e kemi dëgjuar dhe e dëgjojmë zërin tuaj, e njohim problemin tuaj. Problemi juaj, mosmarrja e pagesave dhe parave është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit.
Ju e dini fare mirë se firma kontraktore që kontraktoi firmat nënkontraktore ka lënë një garanci tek shteti shqiptar dhe kjo garanci sipas informacionit të opozitës që ne kemi kërkuar, mjafton dhe tepron për të paguar detyrimet që shteti tashmë pas largimit të kësaj firme mashtruese i ka nënkontraktorëve. Dhe jo thjesht nënkontraktorëve, por mijëra familjarëve të cilat kanë të prapambetura rrogat e punës dhe djersës tuaj.
Sipas informacionit tonë kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion, korrupsion qeveritar dhe korrupsion kryeministror.
Janë me dhjetëra telefonata midis zyrës së Kryeministrit dhe zyrtarëve me afër kryeministrit dhe ish-kontraktorit të cilat fshehin një aferë të pistë korruptive. Ju nuk i merrni lekët sepse Edi Rama dhe Damian Gjiknuri janë të përfshirë në një aferë për t’i marrë këta lekë për veten e tyre.
Kjo përben një krim të rëndë i cili duhet hetuar dhe ju jap fjalën se ne do të bëjmë gjithçka që të hetohet. Por po kështu ne kemi ngritur dhe do të ngrejmë zërin që një orë e më parë këto fonde të zhbllokohen e pagesat që ju detyrohet shteti përmes kësaj garancie, se garancia për këtë punë është dhënë, të kryhen.
Agron e the shumë mirë, nuk mund të jetë shtet i drejtë ai që kur vjen puna tek detyrimet, të këput gjobën dhe të arreston në qoftë se nuk paguan ujin, dritat, taksat por kur vjen puna tek e drejta nuk respekton të drejtat e njerëzve, nuk respekton të drejtat e qytetarëve.
Në këtë rast nuk respekton të drejtat tuaja për të marrë paratë tuaja nga garancia që është dhënë vetëm për këtë qëllim, që në rast se kontraktori dështon shteti si përgjegjës për këtë punë publike, për këtë vepër publike, këto para t’ua kthejë njerëzve të cilëve iu detyrohet dhe në këtë rast iu detyrohet ju, punës tuaj, djersës tuaj. Ju keni kryer punime, këto punime janë certifkuar dhe supervizori i ka pranuar, shteti i ka pranuar, janë të faturuara, paratë i ka shteti.
Ndaj ne do të bëjmë gjithçka duke ngritur zërin tonë në këtë Parlament si opozitë dhe ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka që ju t’i merrni paratë që ju detyrohet shteti shqiptar.
Dua t’ju inkurajoj që keni ngritur zërin dhe keni ardhur këtu. Dua t’ju them të gjithë shqiptarëve se nuk ka rrugë tjetër për të siguruar të drejtat që iu nëpërkëmbën, përveçse të bashkoheni, të ngriheni, të ngrini zërin dhe të detyroni një pakicë absolute njerëzish që kanë marrë peng lirinë dhe të drejtat tuaja që të respektojnë ligjin dhe t’i hapin rrugë drejtësisë.
Drejtësia për ju është që paratë e rrogave dhe dëmshpërblimeve tuaja të paguhen nga garancia shtetërore dhe ne do të bëjmë gjithçka që kjo të përmbushet.
Edhe një herë unë ju inkurajoj për protestën, jemi në krahun tuaj dhe do të jemi në krahun tuaj deri në fund të kësaj beteje.
Biseda me protestuesit:
Protestuesi: I kanë vjedhur lekët tona.
Basha: Së pari, ju kërkoj falje që s’kemi arritur ta zgjidhim problemin tuaj kur kemi qenë në qeveri.
Protestuesi: E ke bërë edhe herë tjetër, ne e mirëpresim faljen që ke kërkuar për të tjerët, ndoshta.
Basha: Së dyti, garantoj që ne e kemi këtë në qendër të vëmendjes; dëmshpërblimin financiar dhe dëmshpërblimin moral ndaj jush.
Protestuesi: Ne kemi dëshirë me të thënë zoti kryeministër, por sot je kapiteni i selisë blu dhe të urojmë që të vish edhe një herë dhe të vendosim demokraci dhe standarde europiane. Por që në 2007 ne po persekutohena, po diskriminohena familjarisht, një varfëri, një skllavëri e tejskajshme. Unë jam qysh 18 vjeç nën hekurat dhe prangat e diktaturës komuniste. Jam dënuar për revoltën e Qafë Barit, jam i 7-i që jam arrestu dhe jam përjashtuar padrejtësisht. Ju keni kërkuar falje dhe ju jemi mirënjohës. Sabotazhi, janë disa nene politike që këto i kanë quajtur jopolitike, në mënyrë të padrejtë.
Le të hapen dosjet tona dhe nëse ne nuk kemi bërë rezistencë nëper burgje dhe dosja ime nuk është e pastër atëherë le të mi heqin, nuk dua asnjë lekë. Ne kërkojmë që Partia Demokratike të angazhohet fuqishëm sepse na ju quajmë pjesë e jona, gjithmonë kemi votuar për ju, për demokraci dhe jemi shumë të zhgënjyer për vitet e mëparshme.
Urojmë që edhe aty në Komisionin e Ligjeve, edhe sot ju keni mundësi me ngrit zërin për këtë padrejtësi. Është më mirë të pranosh një faj sesa ta vazhdosh një faj. Faleminderit që keni ardhur.
Basha: Edhe një herë ju kërkojmë ndjesë për faktin që nuk arritëm dot ta zgjidhnim plotësisht kur ishim ne në qeveri. Ju garantoj se do ta ndjekim deri në fund edhe sot si opozitë, edhe nesër. Është detyra jonë t’i japim një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, një borxhi që të madh që kemi ndaj jush.
Protestuesi: Sepse nuk duhet të hiqet asnjë ditë burgu për ne. Pavarësisht se si i ka ndërtuar akuzat prokurorët e komunizmit. Vladimir Kristo, prokurori që më ka dënuar 25 vite burg.
Basha: Ju mbështesim në të gjitha format dhe mënyrat, moralisht, shpirtërisht, politikisht, në të gjitha format dhe mënyrat.
Faleminderit!