November 23, 2024

Dhembe dhe buzeqeshje e bukur/Keshilla

Mënyra më e mirë për të mbrojtur dhëmbët nga prishja është larja e tyre çdo ditë pas vakteve kryesore të ushqimit ose të paktën 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë më furçë dhe pastë dhëmbësh. Gjithashtu nuk duhet neglizhuar ndërrimi i shpeshtë i furçës, kujdesi në përzgjedhjen e ushqimeve që vendosim çdo ditë në tavolinën tonë të ngrënies, si dhe ndjekja e rregullt e vizitave tek stomatologu. Fitimi i shprehive të duhura që në vegjëli klasifikohet si dhurata më e mirë që mund t’i bëjmë vetes, pasi vetëm në këtë formë mund të kursejmë shtrëngimet e qëndrimit me gojë mbyllur sa herë duhet të buzëqeshim, si pasojë e problemeve me dhëmbët. Ndjekja e këtyre këshillave ndihmon në largimin e sëmundjeve, problemeve me mishin e dhëmbëve, hapësirës së gojës në përgjithësi. Është shumë e rëndësishme që të fitojmë sjelljet e duhura, si dhe të bëhet zakon mirëmbajtja e shëndetit të gojës. Kujdes ky, që duhet të ketë zanafillën që në moshën e fëmijërisë. Vetëm nëse i ndihmojmë ata që të kenë kujdes dhe t’i bëjmë të ndërgjegjshëm sa më herët rreth rëndësisë së madhe që ka mirëmbajtja e higjienës orale, atëherë do të shmangim një sërë problemesh të mëdha. Nëse ndjekim disa rregulla të thjeshta, që janë të listuara në vijim të shkrimit, e që kanë të bëjnë me kujdesin në të ushqyer, kontrollin tek mjeku, larjen e duhur, do të mund t’i themi mjaft buzëqeshjes me buzë të mbyllura.

Kujdes me ushqimet që vendosen në tavolinën e ngrënies

Kequshqyerja renditet si një ndër shkaktarët më të shpeshtë që ndikon në prishjen e dhëmbëve. Nëse fitojmë sjelljet e një ushqyerje të shëndetshme, atëherë do mund t’u gëzohemi edhe dhëmbëve të shëndetshëm dhe të bardhë që të gjithë i duam. Këto sjellje dhe ky kujdes në përzgjedhjen e ushqimeve duhet të fillojë që në moshë të vogël. Sipas mjekëve, kujdes duhet të tregojmë me frutat e ëmbla, prodhimet e sheqerosura, ëmbëlsirat dhe ushqimet acide. Dihet që këto janë të gjitha të shijshme dhe shumë të pëlqyera, por nëse teprohet me to, e sidomos me neglizhimin në larjen e dhëmbëve, pas konsumit, problemet i kemi vërtet të mëdha. Tregoni kujdes me pijet e ndryshme, sidomos nëse janë të gazuara, pasi sheqeri dhe veprimi i dioksidit të karbonit që ato përmbajnë, i dëmtojnë dhëmbët duke shkatërruar mbrojtjen ndaj tyre. Ndaj duhet t’i jepni më shumë rëndësi ndjekjes së një praktike të tillë që konfirmon një ushqim të shëndetshëm, duke nisur me mëngjesin, shtimin e higjienës orale, pakësimin dhe reduktimin e ushqimeve të sheqerosura, ushqimeve të thata dhe karbohidrateve. Këto të fundit fare mirë mund të zëvendësohen me frutat perimet, zarzavatet, dhe qumështin. Në këtë mënyrë do t’i dhuroni vetes jo vetëm dhëmbë të shëndetshëm, por edhe të bukur. Ndaj bëni kujdes reduktoni ëmbëlsirat pasi janë përgjegjëse për dëmtimin, zverdhjen e dhëmbëve dhe probleme të tjera shëndetësore.

E ngrëna natën, shton rrezikun për prishjen e dhëmbëve

Mund të keni uri, por nëse zgjoheni gjatë natës frenojeni atë. Bëjeni këtë për hir të dhëmbëve tuaj. Kjo pasi ngrënia sërish disa orë pasi keni mbaruar darkën, dhe pasi keni larë dhëmbët e rrit rrezikun e shfaqjes së problemeve të dhëmbit, e për pasojë prishjen e tyre. Në shumë studime të kryera, është treguar se pështyma, e cila ka tendencë të thahet gjatë natës, e ngjit ushqimin te dhëmbët, duke i dëmtuar ata. Ndaj ekspertët këshillojnë që përveç mos ngrënies gjatë natës, nuk është mirë të konsumohet edhe deri në një orë para gjumit, dhe të konsumohet vetëm ujë dhe jo lëngje

Larja e kujdesshme e dhëmbëve

Gjatë natës, sasia e pështymës ulet, duke lënë dhëmbët tuaj më pak të mbrojtur nga acidet bakteriale. Për këtë arsye larja e dhëmbëve me furçë dhe përdorimi i fillit dentar në mbrëmje është shumë e rëndësishme. Larja e dhëmbëve duhet të zgjasë 2−3 minuta, 2 herë në ditë. Përdorni një furçë me qime të buta dhe përdorni të paktën një herë në ditë fillin dentar. Përdorni shpëlarës goje të fluorizuar përpara periudhës së gjumit. Pas kësaj procedure, përdorni shpëlarës goje të fluorizuar (pyeteni dentistin tuaj). Nuk rekomandohet të ushqeheni pas kësaj procedure.

Zgjateni larjen e dhëmbëve

Larja e kujdesshme e dhëmbëve është një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar. Sipas stomatologëve ne duhet të bëjmë pjesë të sjelljeve tona të përditshme larjen të paktën dy herë gjatë ditës të dhëmbëve. Specialistët rekomandojnë përdorimin e furçës dhe të pastës së dhëmbëve, për të paktën tre minuta  gjatë çdo larjeje. Në vend të kësaj, sipas statistikave, koha mesatare që ne përdorim për të larë dhëmbët është jo më shumë se 46 sekonda. E pra, kjo është shumë pak, për të siguruar mbrojtjen e duhur kundër kariesit.

Kujdes mos u besoni furçave të forta

Stomatologët konfirmojnë se pas përdorimit, një furçë dhëmbësh të ndërrohet mesatarisht çdo 3 muaj. Shpëlarja e gojës me ujë pas vakteve ka pak efekt mbi acidet bakteriale, megjithëse mund të ndihmojë në eliminimin e mbeturinave ushqimore. Fërkimi i vazhdueshëm i dhëmbëve me furça të forta, mund të shkaktojë probleme afatgjata tek dhëmbët, pasi i dobëson ato nga mbrojtja e tyre natyrore.

Mos pini duhan, dhe mos e teproni me kafen?

Duket e vështirë për t’u arritur, por në të vërtet sjell përfitime maksimale në kujdesin për dhëmbët, duke i mbajtur të shëndetshëm e të bukur pa veshjen e verdhë bezdisëse. Gjithashtu duhet të mundoheni që të reduktoni edhe teprimet me kafen gjatë ditës. Shumë njerëz kanë dëshirë që të konsumojnë disa kafe gjatë ditës, por nuk e dinë që kafja është një armik për dhëmbët. Por, kjo nuk do të thotë që ne të heqim dorë dhe të mos pimë kafen, thjeshtë të mos e teprojmë me të.

Kontrollet tek stomatologu

Për të mbajtur larg problemet të cilave iu referuam në fillim duhet të dimë që vizita e parë, e cila më pas duhet të jetë periodike duhet të kryhet çdo 6 muaj dhe duhet të fillojnë që në moshën 6 muajshe, kohë në të cilën nis dhe dalja e dhëmbëve të parë. Kjo rutinë nuk duhet ndërprerë më pas. Profilakisa ose e thënë ndryshe parandalimi është forma më e mirë dhe më e rëndësishme në parandalimin e këtyre problemeve, që kanë të bëjnë me prishjen e dhëmbëve, si dhe më ndalimin e procesit karioz. Përdorimi sa më i paktë i sheqernave, higjiena maksimale kontrollet e vazhdueshme tek një mjek specialist janë edhe format më të mira që na mbajnë larg problemeve të tilla.

 ***

Si të zbardhim dhëmbët në mënyrë natyrale, ja disa këshilla

Një buzëqeshje shndritëse është ëndrra e të gjithëve. Por para se t’i drejtoheni dentistit për zbardhjen e dhëmbëve, e cila shpesh mund të jetë edhe e dëmshme, ne ju japim disa ide për zbardhjen në kushte shtëpie.

Lëkura e bananes

Bananet janë një burim vlerash ushqimore për organizmin tonë. Por edhe lëkura mund të na shërbejë. Para se t’i hedhim në plehra lëkurat e bananes, mund të fërkojmë dhëmbët me to për 2 minuta. Më pas lajmë dhëmbët me pastën e zakonshme. Ky veprim duhet përsëritur 2-3 herë në javë dhe pas një kohe të shkurtër, rezultatet e para janë të dukshme.

Zbardhja e dhëmbëve me lëkurën e bananes i detyrohet mineraleve si potasiumi, magnezi dhe mangani, të cilat gjenden me shumicë tek ky frut.

Luleshtrydhe

Disa luleshtrydhe të shtypura vendosen mbi dhëmbë për 2-3 minuta. Më pas, i shpëlajmë dhëmbët me ujë ose i lajmë me furçë. Luleshtrydhet veprojnë në dy mënyra: me anë të një enzime që njihet si acidi malik, i cili është përbërësi kryesor i shumicës së zbardhuesve të dhëmbëve; dhe me anë të fibrave që veprojnë si pastrues dhe largojnë bakteret që gjenden në gojë.

Lëkurë dhe lëng limoni

Acidi në nivel të lartë që gjendet  te limoni vepron si zbardhues. Mjafton të fërkoni dhëmbët me lëkurën apo të lyeni dhëmbët me lëngun e përzier me ujë (në masa të barabarta). Por këshillohet që kjo metodë të mos përdoret më shumë se dy herë në javë, pasi mund të dëmtojë zmaltin.

Karotat

Kur konsumohen të freskëta dhe të pagatuara, karotat veprojnë si pastrues për dhëmbët. Ato vrasin bakteret e gojës dhe i bëjnë dhëmbët më të bardhë. Për shkak të përmbajtjes së lartë të vitaminës C, do të keni mishra më të shëndetshëm dhe më pak baktere që shkaktojnë erën e keqe.

Soda e bukës

Ajo është mënyra më e sigurt dhe më e shëndetshme për të zbardhur dhëmbët dhe për këtë janë dakord të gjithë dentistët. Soda largon njollat dhe mbron zmaltin. Mjafton të përzieni pak sodë buke me kripë dhe të fërkoni dhëmbët me të duke përdorur një furçë të butë. Buzëqeshja do të jetë rrëzëllitëse dhe ndjesia e pastërtisë në gojë do zgjasë gjithë ditën.

***

Ushqimet – që pa e kuptuar, po ju njollosin dhëmbët!

Nëse doni te keni një buzëqeshje perfekte, do t’ju duhet t’i mbani “perlat” tuaja të bardha…d.m.th. vërtet të bardha! Ndërkohë që ju mund të përdorni një shumëllojshmëri produktesh për t’i mbajtur dhëmbët “në formë”, po ju tregojmë se ka një mënyrë akoma më të lehtë për të ndaluar përhapjen e njollave: Shmangni këto 7 ushqime që ju njollosin dhëmbët:

Manaferrat. Manaferrat janë fruta të lëngshme dhe të ushqyeshme, por pigment-i i tyre i pasur në ngjyrë mund të ngjitet në smalti-n e dhëmbëve dhe të lërë një cipë sipër tyre.

Panxhari. E dini sa  njolla të vështira lë panxhari në rrobat tuaja? Nëse po, thjesht imagjinoni se çfarë mund t’u bëjë dhëmbëve tuaj. Lani dhëmbët menjëherë mbasi hani panxhar për të minimizuar dëmin.

Biskotat me kripë. E kujt mund t’i shkonte në mend? Shumë lloje biskotash me kripë përbëhen nga karbohidrate të përpunuara, të cilat kthehen në sheqerna duke përbërë kështu një terren perfekt për bakteret që lënë njolla në dhëmbë.

Uthulla balsamike. Thellësisht e pigmentuar dhe plot me acide, uthulla balsamike përkthehet në “lajme të këqija” për dhëmbët. Mundohuni të kufizoni konsumin e saj vetëm si shtesë për sallatën tuaj. Sallata marule krijon një barrierë që e bën uthullën të mos lërë njolla aq të forta tek dhëmbët.

Turshitë. Ju kërkojmë ndjesë “fansave” të turshive. Shija e athët dhe e thartë që ju pëlqeni aq shumë, në fakt vjen nga acidi. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se acidi gërryen smaltin dhe lë njolla tek dhëmbët.

Kafeja dhe çaji. Nuk ka rëndësi nëse jeni një vajzë që pëlqeni kapuçinon apo adhuruese e çajit, konsumi i tepërt i pijes së ngrohtë që preferoni, do ju lërë njolla tek dhëmbët. Kjo ndodh sepse pigmentet që gjenden tek të dyja këto pije kaq të dashura, ju zverdhin dhëmbët.

Salca e domateve. Meqë domatet janë tepër acidore dhe me ngjyrë të fortë, salca e tyre mund të njollosë dhëmbët dhe të gërryej smaltin.

Zgjidhja e vetme për këtë problem është të mundoheni t’i hani këto ushqime në mënyrë të moderuar.

Facebook Comments

MineralHygienics.com