Nënkryetari i Kuvendit, njëherëz edhe i PD-së, Edi Paloka, tha se opozita nuk ka përcaktuar një datë fikse se kur do të zhvillohet protesta e rradhës, pas asaj të mbajtur më 27 janar. Paloka tha se opozita ka marrë një vendim që nuk do ta njohë ligjshmërinë e kësaj qeverie dhe këtij parlamenti.
“Nuk është përcaktuar datë akoma, po sigurisht opozita po bëhet përditë me forma të ndryshme siç e kishim thënë. Forma që shtrihen nga protestat madhështore në të gjitha format e tjera të reagimit qoftë të opozitës qoftë të qytetarëve të cilat ne i mbështetim çdo moment.
Pra nuk është se kur do bëhet mitingu i radhës i madh, problemi është që ne e kemi marrë një vendim si front opozitar.
Nuk njohim ligjshmërinë e kësaj qeverie, të atij parlamenti dhe do të vazhdojmë të luftojmë derisa ti kthehet ligjshmëria parlamentit dhe shqiptarët të kenë një qeveri që të jetë e ligjshme dhe të punojë për interesat e tyre”, tha Paloka në studion e Oraneës.
Nënkryetari i PD-së theksoi se LSI janë në një front të përbashkët me qëllimin e vetëm largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeveri antimafia.
“Në këtë front opozitar në jemi bashkë, jemi partitë e opozitës së qendrës së djathtë dhe në këtë front bashkë me ne është edhe LSI. Kemi qëllime të përbashkëta, të përcaktuara qartazi dhe të shpallura publikisht.
Qëllimi madhor është largimi i kësaj qeveria dhe zëvendësimi me një qeveri antimafia, e cila do të përgatisë zgjedhjet e tjera për tju dhënë mundësi shqiptarë që të zgjedhin qeverinë që duan. Ky nuk është një front që kërkon të përmbysë Ramën dhe të vendosë Bashën apo dikë tjetër, por është një front që ti japë mundësi qytetarëve që të zgjedhin qeverinë që duan”, tha Paloka.