Reagon rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni pas kërkesës së 4 dekanëve për dorëheqjen e tij.
Kërkesa u bë nga Dhori kule, Artur Sula, Edmond Rapti, Artan Hoxha. Në fjalën e tij, dekani Dhori Kule kërkoi shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni. Kule akuzoi Rektorin se është përpjekur të kryejë në mënyrë të paligjshme funksione administrative që nuk duhet ti kryejë ai.
Sakaq, me anë të një letre të hapur drejtuar ministres së Arsimit Lindita Nikolla, Rektori i UT, ka mohuar akuzat e dekanëve duke u shprehur se asgjë nga çfarë u tha nuk ishte e vërtetë.
“Kurse publikut të gjerë që e ka dëgjuar dhe që dëshirojnë të sjellin fëmijët e tyre për të studiuar në Universitetin e Tiranës, i them me bindje të plotë,… mos i dëgjoni… se asgjë nuk është e vërtetë.”- shkruan Koni në letrën e tij.
Ndërkohë ka akuzuar 4 dekanët për shumë probleme me të cilat po përballet Universiteti i Tiranës.
Gjithashtu siguroi se do vazhdojë të kërkojë të drejtën nga organi i akuzës, dhe do vazhdojë të jetë Rektori i UT.
Letra e plotë:
U njoha nëpërmjet mediave, me letrën e 4(katër) dekanëve të katër fakulteteve të Universitetit të Tiranës, drejtuar Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, znj.Lindita Nikolla, “Për fillimin e proçedurës disiplinore të shkarkimit të Rektorit të Universitetit të Tiranës”, dërguar që në datën 16 Tetor 2017.
Së pari, do të doja të isha njohur mbi këtë letër nëpërmjet Ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, për më tepër që ajo paska disa muaj që i është dërguar. Dhe kështu do të kuptoja më mirë edhe arsyet se përse nga MASR-i vinin njëri pas tjetrit në Rektoratin e UT-së grupet e inspektimit, në mënyrën më të paligjshme, më arrogante, më shantazhuese dhe më intimiduese.
U përpoqa të gjeja midis paragrafëve të kësaj letre ndonjë gjë të vërtetë, por, fatmirësisht për mua, nuk kishte asgjë të tillë…. Kurse publikut të gjerë që e ka dëgjuar dhe që dëshirojnë të sjellin fëmijët e tyre për të studiuar në Universitetin e Tiranës, i them me bindje të plotë,… mos i dëgjoni… se asgjë nuk është e vërtetë.
Flasin kolegët e mi të nderuar për “përpjekjet e tyre të shumta, diskutimet e gjata apo edhe për një mori shkresash pafund”, me Rektorin e UT-së……sikur Rektori të zgjidhej prej tyre. Por jo të nderuar kolegë, …..Rektorin e zgjedhin pedagogët dhe studentët.
Flasin dekanët e nderuar “për konstatimin e shkeljeve të rënda dhe të vazhdueshme ligjore në veprimtarinë e Rektorit të UT”….por asgjë nuk është e vërtetë dhe asnjëri prej tyre nuk di të thotë se cilin ligj Rektori ka shkelur dhe cilin nen apo gërmë të tyre nuk ka zbatuar ashtu siç duhet Rektori.
A mundet ndonjëri prej tyre të tregojë konkretisht se cilën kompetencë që i jep ligji dhe të kujt autoriteti apo organi drejtues në institucion Rektori ka penguar për t’u zbatuar?
Flasin dekanët e nderuar për proçesin e akreditimit të institucionit…..
Po le t’i tregojmë opinionin publik se mbi cilën periudhë u akreditua Universiteti i Tiranës dhe cilët janë këta 4 dekanë të nderuar që sot kërkojnë shkarkimin e Rektorit:
Në fakt ata janë të gjithë ish-drejtuesit e Universitetit të Tiranës për periudhën që UT u akreditua. Konkretisht ata janë: ish-rektori i UT sot Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, ish-zv.Rektori i UT sot Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, ish-zv.Rektori tjetër i UT sot zv.Ministër i Arsimit, ish-Drejtori Juridik në Rektorat, sot Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Kjo tregon qartazi lidhjet dhe shpjegon arsyet se përse mbështesin kaq fort njëri- tjetrin.
Do të doja t’i drejtohesha me disa pyetje kolegëve të mi të nderuar:
Ku ishit ju kur ju informoja se ish-kancelari i UT po përdorte në shkresa zyrtare një vulë të paligjshme dhe jo me protokoll të institucionit?…por ju përkundrazi, i pranonit dhe i zbatonit ato shkresa.
Ku ishit ju kur pagat e punonjësve u kaluan në Thesarin e Shtetit me vulë të paligjshme?
Ku ishit ju kur në mënyrë të vazhdueshme ju kam bërë me dije për të gjitha shkeljet ligjore të ish-kancelarit dhe gjithashtu sot të administratorit të institucionit ?..përkundrazi i mbështesni ato.
Ku ishit ju kur ju kam kërkuar bashkëpunim dhe bashkërendim të punëve në institucion? …..përkundrazi, në mënyrën më arrogante i keni refuzuar ato.
Ku jeni ju kur ju njoftoj për mbledhje të Rektoratit dhe të Senatit Akademik? ….i bojkotoni ato dhe gjithmonë të gjithë bashkë…..
Të nderuar kolegë,
Edhe ju e dini shumë mirë se nuk është Rektori ai që ka bllokuar databazën e të dhënava të pedagogëve dhe të studentëve; nuk është Rektori arsyeja që prej gati një viti vonohet marrja e pagave në institucion; nuk është Rektori arsyeja që nuk ka sistem ngrohje -ftohje fakulteti i Drejtësisë; që nuk ka letër apo bojë kompjuteri, etj etj…që për herë të parë në historinë e institucionit, nuk u realizua buxheti i vitit 2017.
Të gjitha këto kanë vetëm një arsye, të mbrojnë ish-kancelarin, të mbrojnë sot administratorin dhe sigurisht, Bordin e Administrimit të institucionit dhe ta drejtojnë atë.
Por në fakt, ju të nderuar Dekanë nuk mbroni as ato, ju mbroni vetëm veten tuaj, mbroheni nga ato çfarë janë bërë në institucion në kohën kur ju e drejtonit atë.
Edhe ju e dini shumë mirë se unë nuk kam bërë asnjë gjë gabim, se unë nuk kam shkelur asnjë nen dhe asnjë gërmë të ligjit. Në rast të kundërt, sot nuk do të isha akoma Rektor i Universitetit të Tiranës.
Ju siguroj se do të vazhdoj të kërkoj nga organi i akuzës që të shqyrtoj çdo çështje për të cilën unë i jam drejtuar, në mënyrë që çdo kush që ka shkelur ligjin të dënohet dhe e drejta dhe ligji të triumfojë.
Ju siguroj se do të vazhdoj të jem Rektor i UT-së deri në përfundimin e mandatit tim të parë duke u përgatitur për mandatin tim të dytë.
Gjithashtu, ju siguroj se askush dhe për asnjë arsye nuk më ndal në rrugën time të së drejtës, sepse me vete kam ligjin dhe Zotin!