November 25, 2024

Kotzias: Kemi mbyllur paketën e çështjeve të hapura, Tirana tregoi mençuri

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se Greqia i ka mbyllur gjithë çështjet hapura me Shqipërinë, dhe ka shprehur shpresën që së shpejti të kurorëzohet marrëveshja përfundimtare.

Në një intervistë të gjatë për televizionin grek Alpha TV, që u transmetua vonë mbrëmjen e të enjtes, zoti Kotzias tha ndër të tjera:

 “Duhet t’ju them se kishim probleme të hapura me dy nga tre fqinjët tanë veriorë, me Shkupin dhe me Shqipërinë. Para një muaji e mbyllëm me Shqipërinë gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vitesh. Dhe besoj se kjo është një gjë e mirë. Vendi nuk duhet të ketë probleme të hapura”.

Shefi i diplomacisë greke ka vënë në dukje mendimin e tij se Tirana dhe Shkupi “po tregojnë më shumë mençuri” sa u përket problemeve me fqinjët.

 “Me palën shqiptare bisedimet tona dhe negociatat mbajtën dy vjet e gjysëm. Rrjedhimisht janë pjekur kushtet dhe ishte e natyrshme që që një moment të mbërrinim në një përfundim të mirë të tyre dhe shpresoj që të arrijmë aty”, tha Kotzias.

Teksa u ndal tek konfliktet me Turqinë, Kotzias tha se Ankaranë po e irriton shumë fakti që Greqia po zgjidh problemet e saj.

“Ata (Turiqa) po i irriton se ne jemi në një dialog dhe po zgjidhim problemet tona. Dhe ndoshta i ka bërë shumë nervozë se po zgjidhim problemet me Shqipërinë dhe shpresoj se do t’i zgjidhim dhe problemet me Shkupin sepse “kafshimi” që ata duan të krijojnë për Greqinë, domethënë, që të mos kemi vetëm probleme në Mesdhe, në Detin Egje dhe të gjithë këtë hark, por gjithashtu të kemi mbi vete dhe probleme (ekstra). Të shohë (Turqia) se ky hark nuk do të mbahet për një kohë të gjatë dhe do t’i bëjë akoma dhe më shumë nervozë. Dhe, siç ju thashë, udhëheqja e Turqisë sot është midis arrogancës, të një ndjenje se ata mund të bëjnë çfarë të duan por edhe të pasigurisë dhe frikës. Dhe duhet që ne të jemi të kujdesshëm sepse nëse do të ballafaqohesh me dikë kur dhe si duhet ta vendosësh ti atë”, shtoi zoti Kotzias.

Facebook Comments

MineralHygienics.com