Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, po zhvillon një vizitë pune në Estoni, ku u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, z. Sven Mikser. Ministrat diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të vendit dhe bashkëpunimin në përballjen me sfidat e sigurisë.
Ministri Bushati e njohu kolegun e tij me hapat konkretë të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e reformave dhe në përmbushje të prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ministri Mikser duke vlerësuar progresin e bërë në vend, rikonfirmoi mbështetjen e Estonisë për hapjen sa më parë të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE, në vijim të rekomandimit të Komisionit Evropian. Ministri Mikser ofroi gadishmërinë e Estonisë për të ofruar ekspertizën e saj konkrete në procesin e negociatave.
Ministrat Bushati dhe Mikser ndanë mendimin për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes reciprok, veçanërisht në drejtim të teknologjisë dhe zgjidhjeve inovative, turizëm, transport, industri farmaceutike, etj.
Ministrat diskutuan mbi situatën në rajon. Ministri Mikser vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
Ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë shprehu vlerësimin e vendit të tij për kontributin e Shqipërisë fushën e sigurisë në kuadër të BE dhe NATO, duke ju referuar bashkimit të vendit me pozicionet e përbashkëta të BE në fushën e politikës së Jashtme dhe të sigurisë dhe kontributin e Shqipërisë me trupa në Letoni në kuadër të NATO.
Gjatë vizitës në Estoni, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Akademisë Diplomatike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Shkollës Estoneze të Diplomacisë.
Gjithashtu, Ministri Bushati zhvilloi një takim me anëtarë të Komitetit për Punët e Jashtme dhe Komitetit për Çështjet Evropiane, gjatë të cilit i njohu deputetët estonezë me progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe pritshmëritë në këtë kontekst. Deputetët estonezë vlerësuan progresin në adresimin e priorieteteve kyce, dhe ndanë mendimin për rëndësinë që ka Zgjerimi jo vetëm për zhvillimin e vendeve aspirante, por dhe për forcimin e sigurisë evropiane në përgjithësi.