Ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka reaguar lidhur me hetimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për abuzime në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
Ai ka thënë se nuk shqetësohet as për hetimet dhe as për verifikimet, ndërsa shton se koha e gjyqeve politike ka ikur. Haxhinasto thekson se e gjithë veprimtaria e tij në krye të trasporteve ka qenë në përputhje me ligjin.
“S’më shqetësojnë fare as hetimet, as verifikimet. Unë kam bërë drejtimin politik të ministrisë. Gjithëkush është I lirë të verifikojë. Gjithë veprimtaria ime është bërë mbi bazën e dokumentave që janë atje.
Të verifikohen, unë jam i gatshëm. Por gjithashtu duhet t’ju them se koha e drejtësisë popullore kur ngriheshin thashethemnaja dhe njerëzit goditeshin qoftë moralisht, qoftë fizikisht ka përfunduar bashkë me sistemin e kaluar. Unë jam këtu, do jem këtu. Nëse kjo do të degjenerojë në goditje politike, unë do t’i përgjigjem politikisht shumë rreptë”.