November 23, 2024

Takimi Papa Frençesku-Erdogan

Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjshmërisë ndërkombëtare, paqja në Lindjen e Mesme dhe statusi i Jeruzalemit, mikpritja e e migrantëve, ishin temat kryesore të takimit të Papa Françesku me presidentin e Turqisë,  Recep Tayyp Erdogan, i cili u prit në audiencë në Vatikan.

Ati i Shenjtë dhe presidenti i Turqisë,  thuhet në një njoftim nga Selia e Shenjtë në Vatikan, “u ndalën mbi gjendjen në Lindjen e Mesme, veçanërisht mbi statusin e Jeruzalemit, duke vënë në dukje nevojën e promovimit të paqes dhe të qëndrueshmërisë në rajon, përmes dialogut dhe negociatave, në respektin për të drejtat e njeriut dhe për ligjshmërinë ndërkombëtare”.

Gjithashtu u diskutua  edhe mbi marrëdhëniet Vatikan-Turqi dhe gjendjen e bashkësisë katolike

Ndërsa takimi është cilësuar si “bisedime të përzemërta”, u përmendën “marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Turqisë, si edhe u fol për gjendjen në vend, për kushtet e bashkësisë katolike, për impenjimin në mikpritjen e refugjatëve të shumtë dhe për sfidat e lidhura me të”.

Ati i Shenjtë i ka dhuruar Erdogan një medaljon me simbolin e engjëllit të paqes që mbyt djajtë e luftës, simboli i një bote në paqe e pa luftë.

Gjithashtu i ka dhuruar dhe një libër të mesazhit të shkruar nga Ati i Shenjtë për paqen.

Nga ana e tij Presidenti turk i ka dhuruar Papa Françeskut një vepër në qeramikë të qytetit të Stambollit si dhe disa libra të teologut mysliman Gialal Al-Din Rumi.

Pas audiencës me Papën Françesku, presidenti Erdogan bisedoi edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com