Detaje të tjera janë bërë publike nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pasditen e sotme. Një nga çështjet për të cilat është diskutuar në mbledhje mësohet se ka qenë edhe ekstradimi në Itali i Nazer Seitajt, i ashtuquajturi si financieri i grupit të Habilajve.
Burime nga mbledhja e PD thonë për “BalkanWeb” se ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, lidhur me këtë ekstradim.
“Ministrja e Drejtësisë me ekstradimin që ka bërë duhet arrestuar në flagrancë”, mësohet të ketë thënë ish-kryeministri Berisha.
Sakaq, gjatë kësaj mbledhje është diskutuar edhe për vijimësinë e reagimit opozitar pas protestës së 27 janarit, si dhe për dialogun me Greqinë.