Rrahman Kasa është Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar dhe Menager i Happy Tours, partner zyrtar i Noëa Itaka, agjencisë polake që vitin e kaluar solli me mijëra polakë për pushime në Shqipëri, duke nxituar për herë të parë bashkëpunimin mes hoteleve në zonën e Golemit në Durrës dhe ofertat all inclusive (të gjitha të përfshira).
Kasa thotë se këtë vit kanë vijuar të prenotojnë çekët, sllovakët, shtetas nga vendet skandinave. Vihet re një numër në rritje i ukrainasve. Por, ai paralajmëron se pavarësisht se këtë vit ka pasur më shumë prenotime, nëse nuk merren masa për problematikat e momentit, këta turistë nuk do të vijnë më vitin tjetër. Vetë rritja në shifra do të kthehej në bumerang.
Si ka qenë viti 2017 për sektorin e turizmit?
2017 është viti që ka qenë më i miri për turizmin shqiptar. Është viti që ka prodhuar shifrat më të larta, si për të ardhurat, edhe për numrin e turistëve, për herë të parë e të përsëritur. Flasim për një shifër mbi 5 milionë turistë dhe një gjenerim rreth 1.5 mln euro në ekonominë e vendit. Nga këta, 5 milionë turistikë, përafërsisht 1.5 mln, janë etnikë, të trojeve shqiptare; një pjesë nga vendet fqinje, por jo shqiptarë dhe të huajt që vijnë nëpërmjet kontratave të garancisë, që ne e cilësojmë si turizëm të organizuar. Ky lloj turizmi është i vetmi që identifikohet lehtësisht, sepse vijnë me avion charter, numri është i përcaktuar, prenotimi i hershëm etj.
Cilët kanë rezervuar për 2018 në skemën e turizmit të organizuar dhe sa?
Kanë vijuar të prenotojnë çekët, sllovakët, shtetas nga vendet skandinave. Vihet re një numër në rritje i ukrainasve. Krahasuar me një vit më parë, kemi rritje të prenotimeve në tërësi me 40%. 90% e kapacitetit të hoteleve janë rezervuar që tani. Shqipëria ka 2-3 vite që hyn në listën e destinacioneve të qëndrueshme dhe vendoset në katalogët e operatorëve turistikë të huaj. Turizmi i organizuar e bën sektorin e turizmit të qëndrueshëm, edhe kundrejt faktorëve që mund të vijnë papritur gjatë vitit. P.sh., ne kemi rënie të numrit të turistëve nga Kosova këtë vit. Mbase në 2018 do ta kemi sërish, këtë nuk e dimë, pasi duke mos qenë e organizuar, nuk parashikohet.
Si realizohet prenotimi i hershëm i hoteleve tona nga operatorët e huaj?
Hotelet shqiptare parapëlqejnë të punojnë me kontrata garancie, me anë të të cilave ruhen dhe parapaguhet një numër i caktuar dhomash, edhe në rast se nuk përdoren me ardhjen e sezonit veror, pagesa bëhet për to. Me polakët, çekët, sllovakët, ukrainasit punohet me këto lloj kontratash, “angazhimi”, të cilat kanë rezultuar pozitive. Me kontratën tjetër, “alloëement”, hotelet tona nuk punojnë, duke qenë se kanë numër të caktuar dhomash dhe hotelet e mira me standarde janë të kufizuara, duke qenë se ato e përmbushin kapacitetin e tyre që më parë, me kontratat e sigurta, nuk kanë pse pranojnë të tilla.
Në këtë rast, ishte agjencia “Alpitour” në Itali, e cila më pas erdhi vetë përmes një bashkëpunimi me një agjenci shqiptare që sjell italianë. Por jo me skemën e vizitave në numër të konsiderueshëm dhe të parapaguar si me europianoqendrorët. Kërkesat i ka kryesisht për në jug, ndërsa europianoqendrorët dhe lindorët për zonën e Durrësit, pasi është afër me aeroportin. Deri tani ka kompani që kanë paguar deri në 50% të shumës së kontratës, për vitin 2018. Prandaj quhen edhe pushime të organizuara, siç shkohet në Antalia. Merren hotele me garanci dhe lidhen kontrata garancie, ato kontraktohen që kohë më parë dhe paguhet një përqindje e shumës së shërbimit të ofruar nga pushuesit.
Cilat janë problematikat e sektorit?
Pavarësisht se këtë vit ka pasur më shumë prenotime, nëse nuk merren masa për problematikat e momentit, këta turistë nuk do të vijnë më vitin tjetër. Vetë rritja në shifra do të kthehej në bumerang. Problemi më i madh që partnerët tanë kanë është infrastruktura. Kjo infrastrukturë konsiston në rrugë me pluhur me baltë, me tregtarë ambulantë që shesin nëpër tezga. P.sh., zona e Golemit momentalisht është në një gjendje katastrofike, është hapur rruga, balta është e madhe. Europianoqendrorët që vijnë në këtë zonë, këtë vit do të mërziten n.q.s. do të shohin që nuk është bërë asgjë nga viti i kaluar.