Njoftimi i Albpetrol
Në kuadër të procesit të ristrukturimit në të cilin është futur tashmë shoqëria shtetërore e naftës Albpetrol sh.a, në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar ndryshimin e administratorit.
Ing. Kastriot Bejtaj, i cili momentalisht mbante postin e Drejtorit Teknik në Albpetrol sh.a., është emëruar administratori i ri i shoqërisë ndërsa drejtuesi i deri më tanishëm, z. Endri Puka, është larguar për t’u angazhuar në një tjetër detyrë.
Aktualisht, një grup ndërministror është ngritur me urdhër të Kryeministrit dhe po studion skenarët më të mirë për ristrukturimin e shoqërisë. Zoti Bejtaj do të jetë pjesë e grupit ndërministror për ristrukturimin e Albpetrol sh.a si dhe do të udhëheqë të gjithë procesin e ristrukturimit në Albpetrol sh.a.
Kastriot Bejtaj është një inxhinier me një përvoje 35 vjeçare në industrinë e naftës në Shqipëri ku ka punuar për kompani vendase dhe të huaja. Z. Bejtaj është diplomuar në vitin 1983 si Inxhinier Gjeofizike dhe po atë vit ka nisur punë në industrinë e naftës.
Gjatë 35 viteve eksperiencë z. Bejtaj ka bashkëpunuar me kompani ndërkombëtare që kanë kryer aktivitet kërkimi dhe prodhimi për naftë e gaz në Shqipëri si: Shell Albania Exploration and Production; Geophysical Institute of Israel; APIC Petroleum Corp; Petromanas Albania GmbH-Albanian Branch etj.
Gjatë katër viteve të drejtimit të shoqërisë Albpetrol sh.a nga Administratori Endri Puka, kompania ka pasur rezultate të shkëlqyera për sa i takon rritjes së prodhimit, fitimit dhe dividentit të paguar në shtet. Në bilancin e fundit të audituar, atë të vitit 2016, shoqëria Albpetrol sh.a ka realizuar një fitim prej 1.5 miliardë lekësh.