Kryetari i opozitës Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të vijnë të gjithë në protestën e opozitës nësër, pa pasur asnjë frikë; të vijnë familjarisht, ashtu siç edhe ai vetë do të vijë: “Të të gjithë do të jemi në këtë protestë. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë dhe as spektakël, – theksoi ai, – do të jetë një protestë paqesore.”
Kryetari i PD-së ishte sëbashku me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin, në apelin që i drejtuan shqiptarëve.
“Jemi në përditësim të lajmeve nga të gjitha anët e vendit, – tha kreu i PD-së. – që flasin për një pjesëmarrje gjigande, rekord në protestën e vendit.Sot ka një marrëdhënie të re midis pushtetit dhe qytetarëve. Shumica dërrmuese e qytetarëve nuk ka dyshim se ky pushtet është vënë në funksion të banditëve dhe kjo është arsyeja e probemeve të shqiptarëve dhe pse nesër në sheshin e protestës do të derdhen të gjithë pa dallim; të shpallin këtë raport të ri të shumicës dërrmuese të qytetarëve të vendosur që duan shkëputjen e politikës nga krimi dhe një grupi pushtetarësh të korruptuar që janë pengesë për Shqipërinë europianë, për hemorragjinë e emigrimit, për papunësinë…
Ne të gjithë do të jemi në këtë protestë. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë luftë dhe as spektakël. Do të jetë një protestë paqesore.
Ejani të gjithë, mos rrini në shtëpi duke mallkuar, mos rrini gojëkyçur para padrejtësive që ju bëhen; është dita e shqiptarëve të ndershëm, ajo pakicë në pushtet duhet t’i hapë rrugën një qeverie antimafia,” theksoi Basha