Xhani De Biazi ishte trajneri i kuqezinjve në periudhën më të artë të tyre. Fjala është për shkuarjen në finalet e “Euro 2016”, në Europianin e Francës, ku Shqipëria merrte pjesë për herë të parë.
Paraardhësi i Panuccit ishte sot në Tiranë, ku ka vizituar nga afër ekspozitën e FSHF-së, të hapur së fundi në mjediset e Muzeut Kombëtar, dedikuar kësaj arritjeje historike të kombëtares sonë të futbollit.
Natyrisht, kjo vizitë ka “rrezatimin” e vet edhe për zgjedhjet e kreut të ri të futbollit shqiptar, ku De Biazi e shpalos hapur afinitetin e vet ndaj Armand Dukës:
“Për mua Armand Duka ka qenë një person shumë i rëndësishëm, ka bërë shumë për sportin dhe të mirën e vendit. Ka eksperiencën për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme botës së sportit në Shqipëri. Është presidenti i duhur, që duhet të vijojë në krye të FSHF-së.
Përtej meritave që ne i dime, unë kam pasur një raport të shkëlqyer me atë, pasi gjithmonë më ka lënë të lirë për të vepruar si trajner. Kanë qenë vite të paharrueshme për mua”.