November 25, 2024

Vetting edhe për punonjësit e Burgjeve

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka mbledhur sot 24 krerët e burgjeve për të zhvilluar analizën vjetore të punës së tyre. Gjatë analizimit të situatave dhe problematikave të vërejtura në këto Institucione, Ministrja Gjonaj tha se një punë e madhe po bëhet për ridizenjimin e sistemit penitenciar, përmes një reformimi strukturor dhe ligjor. Këto ligje sipas Ministres do të rregullojnë mënyrën e rekrutimit, transferimit, daljes në pension apo dhe shkarkimit të një punonjësi të policisë së Burgjeve, duke i dhënë fund ndërhyrjeve politike dhe duke mundësuar një status të veçantë për punonjësit e policisë së burgjeve. “Sipas Ministres së Drejtësisë viti 2018, është viti i reformave të mëdha në sistemin penitenciar. Pas reformës për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të IEVP-­ve do të ndryshojë edhe mënyra e rekrutimit të deritanishëm për punonjësit e burgjeve, të cilët do t’i nënshtrohen gjithashtu procesit të vettingut”­ thuhet ne njoftim.

Duke kërkuar rezultate në punë nga ana e drejtuesve të rinj, Ministrja Gjonaj rinënvizoi edhe njëherë detyrat që ata duhet të përmbushin në periudhën tre mujore të provës, detyra që kanë të bëjnë me sigurinë në burgje, luftën ndaj korrupsionit në stafin e institucioneve, dhe mënyrën e trajtimit të të dënuarve. Ministrja gjithashtu i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe zbatimit të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, duke theksuar se mosrespektimi apo zbatimi i këtij dokumenti do të jetë përgjegjësia direkte e drejtorëve të Burgjeve.

Facebook Comments

MineralHygienics.com