November 23, 2024

Bizneset japin alarmin: TVSH-ja do të na fundosë!

Norma e vetëpunësimit në Shqipëri është më e larta në të gjithë Europën. Të shumtë janë ata, që për t’i shpëtuar papunësisë, kanë çelur një aktivitet, ku janë punësuar vetë apo së bashku me pjesëtarët e familjes. Aspak konkurrues dhe me fitime të ulëta, shpesh vetëm një pagë mujore për të mbajtur familjet, bizneseve të ashtuquajtura të vogla po iu ngushtohet laku me përfshirjen në skemën e TVSH-së. Shumica e tyre nuk janë të informuar se si do të veprohet dhe pranojnë se për të mbijetuar “do të manovrojnë” që të mos deklarojnë të ardhurat reale…

Biznesi i Besar Balliut ka hyrë këtë janar në vitin e dytë të aktivitetit. Kur vendosi që të blinte bar-kafenë në Qytetin e Studentit, i kishte menduar ndryshe “llogaritë” për të ardhurat që do të siguronte nga ky aktivitet.

Aktualisht, pa u bërë ende pjesë e skemës së TVSH-së, Besari, kryefamiljar, thotë se ka një fitim prej 80 mijë lekësh në muaj. Lokali i tij ka një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh në muaj, 190 mijë lekë janë shpenzime fikse, ku përfshihen: qiraja mujore 70 mijë lekë; 48 mijë lekë pagat e punëtorëve; 40 mijë lekë fatura e energjisë elektrike; 10 mijë lekë fatura e ujit; 20 mijë e 100 lekë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe 2 mijë lekë tarifa e ekonomistes.

Sipas Besarit, aktivitetet e bar-kafeve operojnë me një marzh bruto prej 60% (çmim mesatar i aplikuar mbi furnizimet e lokalit). Për një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh, ai do të duhet të paguajë rreth 45 mijë lekë në muaj TVSH, kur të hyjë në skemën e TVSH-së.

Nëse deri sot (para përfshirjes në skemën e TVSH-së) prej aktivitetit përfitonte një pagë mujore prej 80 mijë lekësh, pas përfshirjes në TVSH, në rastin më të mirë, do t’i mbeten vetëm 35 mijë lekë në muaj. Për më tepër, atij do t’i nevojiten shërbime shtesë, gjë që do t’i rrisë kostot administrative. Sipas ekspertëve, një biznes i vogël do të shpenzojë rreth 7 mijë lekë më shumë çdo muaj për ekonomistë dhe për programet financiare, duke e çuar fitimin neto në 28 mijë lekë në muaj. Me këto nivele fitimi, Besari tha për “Monitor” se nuk ka ndër mend që ta vazhdojë aktivitetin.

Edhe pse biznesin e bleu në fillim të vitit të kaluar për 8 mijë euro, duke marrë një kredi në bankë, Besari rrëfen se aktiviteti nuk ka nxjerrë as paratë e investimit në fillim. “Me përfshirjen në skemën e TVSH-së do të na vihet laku në fyt” – u shpreh ai. Pjesa më e madhe e bizneseve të intervistuar nga “Monitor”, në zona të ndryshme të Tiranës, nuk ishin të informuar se si do të vepronin. Si biznese të vogla nuk kanë shpenzuar shumë tek ekonomistët. Pjesa më e madhe e tyre i kanë kontaktet e rralla me ekonomistët dhe thanë se nuk janë vënë në dijeni se kur do fillojnë të paguajnë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com