Harta për sa i përket konsumit dhe të ardhurave për frymë tregon mjaft qartë ndarjen e Europës në dy fusha kryesore: Gadishulli Iberik me gjithë pjesën qendrore lindore të kontinentit janë ndër rajonet ku konsumohet më pak sesa mesatarja evropiane, ndërsa Evropa Qendrore Perëndimore me Britaninë e Madhe dhe vendet e Veriut janë mbi vlerën mesatare. Il Sole 24 Ore ka publikuar hartën e të ardhurave për frymë dhe konsumit, duke iu referuar të dhënave të Eurostat.
Për vitin 2016, të ardhurat për frymë të shqiptareve ishin sa 29% e mesatares së BE, nga 30% që ishin në 2014-n. Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnja, që dikur ishte më poshtë se ne, tashmë ka mbërritur në 32% të mesatares së BE. Edhe Serbia, pas rënies relative në 2015, ka rikuperuar treguesin në 37% të mesatares së BE. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së. Të dhënat janë publikuar më herët nga Monitor.
Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares europiane. E parafundit renditet Bosnja, me tre pikë për qind më shumë se Shqipëria, ku të ardhurat për frymë në 2016-n shënuan sa 32 për qind e mesatares së BE-së. Të gjithë vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e të ardhurave për frymë.
Mali i Zi është vendi që ka pasur përmirësimin më të lartë në rajon, nga 41 për qind në 201-n, të ardhurat për frymë i janë afruar mesatares së BE-së me katër pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë.
Përpos të ardhurave për frymë, ka rënë edhe treguesi i Konsumit Aktual Individual.
Konsumin Aktual Individual është tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Europë. Ky tregues në Shqipëri është më i ulët jo vetëm ndër vendet e BE-së, por edhe në rajon. Në 2015-n ishte sa 38 për qind e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa në 2016-n sa 37 për qind, duke pësuar rënie me një pikë përqindje.
Nivelin më të larte të këtij treguesi në rajon e ka Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56 për qind e mesatares se BE-se (dyfish më shume se Shqipëria). më pas renditet Serbia, ku treguesi ACI është sa 47 për qind e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnja kane të njëjtin nivel të treguesit të Konsumit aktual Individual më 41 për qind.
Vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e Konsumit Aktual Individual, dhe ritmin më të lartë të përmirësimit edhe për këtë tregues e ka Mali i Zi, me një rritje prej 3% krahasuar me një vit më parë. Treguesi për Serbinë dhe Bosnjen ka qenë konstant nga 2014-2016-n. Ndërsa Maqedonia ka pasur një rritje të lehtë prej vetëm një për qind.