November 24, 2024

Lirohet nga qelia polici i akuzuar për ngacmim seksual

Gjykata e Shkodrës vendosi lirimin nga qelia të premten për punonjësin e policisë, Berhan Bajrakurtaj, i arrestuar më 11 shkurt pas publikimit të një videoje ku ai shfaqet duke kryer veprime të turpshme. Gjykata vendosi masën e “detyrimit për paraqitje” për policin e akuzuar.

Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, Bajrakurtaj mohoi sërish akuzën për ngacimin seksual të një 15-vjeçareje në Gruemirë, duke e quajtur atë “një shpifje”. Avokati mbrojtës, Xhelal Bajraktari, por edhe prokurori i çështjes, Vatë Staka kërkuan “detyrim paraqitje”, me argumentin se ndaj policit nuk ka prova të mjaftueshme për ta lënë në arrest.

Berhan Bajrakurti,  me detyrë oficer i policimit në komunitet në Gruemirë të Malësisë së Madhe u denoncua në portalin Newsbomb.al nga një grua anonime. Denoncimi përfshinte një video, në të cilën oficeri shfaqej i zhveshur, që sipas gruas i ishte dërguar vajzës së saj 15-vjeçare. Gruaja akuzoi punonjësin e policisë për abuzim, përndjekje dhe kërcënim për të mos lejuar denoncimin.

Gruaja u ankua se nuk i ishte marrë denoncim as në komisariatin e Koplikut dhe as Drejtorinë e Policisë në Shkodër. Por Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pas një vizite në këtë komisariat tha se nuk kishte pasur përpjekje për të denoncuar rastin dhe se policia aty nuk e dinte se kush ishte denoncuesja.

Bajrakurtaj vetë tha para gjykatës se nuk kishte ngacmuar askënd dhe se fotot dhe videot kishin qenë vetëm në telefonin e tij. Ai pretendoi se nuk dinte të përdorte telefonin dhe se dikush mund të kishte abuzuar, pasi ai kishte lënë telefonin për disa ditë në servis.

Facebook Comments

MineralHygienics.com