November 23, 2024

Treguesit fiskalë të 11-mujorit, të ardhurat 6% më shumë se një vit më parë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi ecurinë e treguesve fiskalë për 11-mujorin.

Të ardhurat e përgjithshme për 11-mujorin 2017 arritën në rreth 390.4 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 98.6 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 6 përqind më i lartë ose rreth 22.1 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, të ardhurat e përgjithshme për 11 mujorin 2017 u realizuan në masën rreth 88.2 përqind të planit vjetor të ndryshuar.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për periudhën Janar-Nëntor 2017, u realizuan në vlerën 342.2 miliard lekë, 22.9 miliard lekë ose 7.2%  më shumë se 11-mujori i vitit 2016 dhe me një realizim në masën 99.4 % të planit të periudhës.  

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 5.9 miliard lekë, 7.2% ose rreth 398 milion lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2016, dhe 1.3% ose 75 milion lekë më shumë se plani. Importi i taksuar është rritur me 6% krahasuar me Janar–Nëntor 2016.

Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 41.4 miliard lekë, 8.9% ose 3.4 miliard lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2016, dhe 0.7% ose rreth 285 milion lekë më pak se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 511 mijë ton, me një rritje prej +8% krahasuar me 11-mujorin e vitit 2016. Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi i “Gazit të Lëngët” me 16%,  importi dhe prodhimi i “Birrës” me 17%, importi i “Pijeve Energjike” me 17%, importi dhe prodhimi i “Verës” me 12%, dhe importi i “Cigareve” me 7%. Importi i “Kafes” ka shënuar një rritje në të ardhurat nga akciza me rreth 5% krahasuar me Janar-Nëntor 2016. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 0.9 ton në 10.8 ton të deklaruara në periudhën Janar-Nëntor 2017.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 2.1 miliard lekë, 4% ose 82 milion lekë më shumë se plani. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë shënuar një ulje për shkak të rënies së sasisë së eksportuar me rreth 408 mijë ton e destinuar kjo për përpunim vendas dhe janë rritur me 278 milion lekë për shkak të rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me Janar-Nëntor 2016. Sasia e mineraleve të eksportuara është rritur me 12% krahasuar me Janar-Nëntor 2016.

Të ardhurat nga “TVSH” janë realizuar në vlerën 126 miliard lekë, 6% ose rreth 6.8 miliard lekë  më shumë se 11-mujori i vitit 2016 dhe me realizim në masën 99% të planit. Rritja e prodhimit vendas të karburantit ka ulur importin e këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH- ja në import. Karburanti prodhim vendas mbuloi  rreth 30.1% të konsumit gjatë 11-mujorit të vitit 2017 krahasuar me 2.5% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Po kështu në këtë zë, impakt ka pasur edhe ecuria mjaft e mirë e rimbursimeve me 57% më shumë se 11-mujori i vitit 2016.  

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 27.6 miliard lekë, 5.6% ose reth 1.5 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 3.2% ose 846 milion lekë më shumë se plani.

Nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 29.5 miliard lekë, 438 milion lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2016 dhe 4% më pak se plani. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të “Ligjit të Rivlerësimit”.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 33.7 miliard lekë, 12.8% ose  3.8 miliard lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2016 dhe me një realizim të planit në masën 98.3%, duke reflektuar ndikimin e të ardhurave nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme rreth 3.6 miliard lekë.

Të ardhurat nga “Kontributet e DPT” janë realizuar në vlerën 75.9 miliard lekë, 10.2% ose rreth 7 miliard lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2016. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve. Nga ana tjetër aksioni antiinformalitet ka dhënë efekte të dukshme në këtë ecuri pozitive të  kontributeve.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 11-mujorin 2017 arritën në rreth 401 miliardë lekë me një realizim në masën 96.6 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 ky zë ka rezultuar 11 përqind më i lartë ose rreth 39.8 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2017 u realizuan në masën rreth 84.6 përqind të planit vjetor të ndryshuar.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim optimal, respektivisht në masën 98.2 përqind dhe 86.0 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në rreth 87.2 përqind dhe 70.1 përqind të tij.

Shpenzimet korrente për periudhën 11 mujore të këtij viti rezultuan në rreth 343.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 8.4 përqind më i lartë ose rreth 26.7 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike, për 11 mujorin e vitit 2017 është konstatuar një realizim në masën rreth 51.4 miliardë lekë ose rreth 86 përqind në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Krahasuar me planin vjetor, për 11 mujorin e vitit 2017 është konstatuar një realizim i përgjithshëm i investimeve publike në masën rreth 51.4 miliardë LEK ose rreth 70.1 përqind e tyre. Financimi i brendshëm dhe financimi i huaj janë realizuar respektivisht në masën 65.8 përqind dhe rreth 78.4 përqind të planit vjetor.

Niveli i deficitit në 11 mujorin e parë të vitit 2017 rezultoi rreth 10.6 miliardë LEK, ose rreth 17.7 miliardë LEK më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 49.2 përqind më pak.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, realizimi i të ardhurave të përgjithshme në masën 390.4 miliardë lekë dhe realizimi i shpenzimeve të përgjithshme prej rreth 401 miliardë lekë, është shoqëruar me një deficit buxhetor prej rreth 10.6 miliardë lekë.

 
 
 

Facebook Comments

MineralHygienics.com