November 25, 2024

Deputetët e PD-së do të heqin dorë nga mandatet

Kryetari Lulzim Basha njoftoi se deputetët e Partisë Demokratike do të heqin dorë nga mandatet e tyre në Parlament.

Në një deklaratë për shtyp, Basha u shpreh se:

“16 Shkurti ishte referendumi i shqiptarëve! Unë e mora mesazhin tuaj. Me anë të kësaj konference dua t’ju njoftoj se do t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të PD-së djegien e mandateve. Koha për fjalë ka mbaruar!”

Basha theksoi se protesta e djeshme i kishte përcjellë mesazhin se shqiptarët kërkojnë rrugëdalje nga gjendja që ka krijuar qeverisja e diktuar nga krimi dhe hajdutëria e oligarkëve.

“Qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë rrugëdalje, kërkojnë ndryshim. Ju kërkoni një qeveri të zgjedhur nga vullneti juaj dhe vota juaj dhe jo një qeveri të diktuar nga krimi dhe hajdutët e oligarkisë.”

Pas protestës së dhjetëra mijëra qytëtarëve dje, Basha tha se opozita nuk mund të qëndrojë më në një parlament të dëshmuar tashmë se ka dalë nga zgjedhje të diktuara nga krimi.

Basha tha se heqja dorë nga mandatet synon mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Opozita kërkon qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Hapat që një deputet të heqë dorë nga mandati

Secili deputet duhet të deklarojë tek Këshilli i Kuvendit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin se heq dorë nga mandati i deputetit.

Brenda 30 ditësh Kuvendi njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të zëvendësuar mandatin e lënë bosh.

KQZ-ja ia jep mandatin kandidatit të parë në listën e partisë së deputetit , të dorëhequr nga e njëjta zonë elektorale.

Nëse kandidati i mandatuar nga KQZ-ja nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve, atëherë mandati i kalon kandidatit vijues në listën e së njëjtjës parti për atë zonë. Edhe ky kandidat ka 30 ditë afat për t’u paraqitur në Kuvend, përndryshe cikli nis nga e para.

Kur mbarojnë kandidatët në listën e një partie, atëherë KQZ-ja ia kalon mandatin kandidatit të parë në listën e partisë tjetër më të madhe të koalicionit.

Facebook Comments

MineralHygienics.com