November 21, 2024

ISP: Monitorimi të nisë nga data e dekretit

Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Programit të USAID-it në Shqipëri (ACDC – Zhvillimi dhe Bashkëpunimi i Përshpejtuar i Shoqërisë Civile), po kryen  monitorimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale 2019.

Pjesë e aktivitetit është edhe diskutimi e prezantimi i vazhdueshëm tek Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore i sugjerimeve të mundshme që lidhen me përmirësime dhe ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin mbi partitë politike.

Në këtë kuadër, ISP ia ka adresuar deputetëve Gjylameti dhe Bylykbashi, bashkëkryetarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, sugjerime të ndryshme lidhur me përmirësimet në legjislacion.

Sugjerimet e ISP:

Dispozitat që lidhen me nenin 88 të Kodit Zgjedhor apo me legjislacionin e partive politike, për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën elektorale, përfshirë logo, simbole, reklama identifikuese, etj, meritojnë një trajtim më të plotë dhe me shtrirje në kohë nga momenti kur del dekreti i Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve.

Partitë Politike duhet të përfshihen në aplikimin e dënimeve kryesore që parashikon Ligji Nr.9754 datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridik”. Ky ligj ka si objekt marrjen në përgjegjësi penale dhe caktimin e masave ndëshkuese (Kryesore dhe Plotësuese) që ushtrohen ndaj subjekteve juridike, krahas atyre me natyrë administrative.

ISP propozon gjithashtu amendimin e Nenit 173 të Kodit Zgjedhor, ku krahas sanksioneve për shkelje të rregullave mbi financimin e zgjedhjeve, të cilat ndëshkohen me gjoba në ngarkim të subjekteve politike si dhe ndaj donatorëve e partive politike, duhen parashikuar sanksione të posaçme për çdo titullar, zyrtar apo institucion shtetëror dhe ent publik, i cili në mënyrë të paligjshme është vërtetuar se ka ofruar në kundërshtim më ligjin burimet e tij njerëzore ose materiale në favor të subjekteve të caktuara politike.

ISP propozon amendimin e Nenit 92 pika 3 e Kodit Zgjedhor, duke parashikuar në mënyrë eksplicite në këtë dispozitë shmangien e çdo forme të konfliktit të interesit midis audituesit financiar të emëruar nga KQZ dhe subjekteve politike. Mendojmë se kjo dispozitë duhet harmonizuar në referencë edhe me Ligjin Nr. 9367 dt. 07.04.2005, ndryshuar me Ligjin Nr. 9475 dt.09.02.2006, Ligjin 9529 dt. 11.05.2006, Ligji 86/2012 dhe Ligji 44/2014 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”.

Së fundi, ISP propozon ndryshimin e Nenit 89 të Kodit Zgjedhor dhe Nenin 23 të Ligjit Për Partitë Politike, duke kërkuar që Partitë Politike të deklarojnë dhe publikojnë çdo fond të dhuruar, duke hequr kufirin prej 100 mijë lekësh të vendosur aktualisht. Mendojmë se kjo do të rritë standardet e transparencës dhe informimit të subjekteve politike karshi publikut.

Facebook Comments

MineralHygienics.com