November 22, 2024

KPK shkarkon kryeprokurorin e Apelit për Krimet e Rënda

Komisioni i vetingut shkarkoi sot kryeprokurorin e Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajramaj.

Prokurori Bajramaj ishte i vetmi prokuror i mbetur në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, pas zgjedhjes në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) të prokurorit tjetër, Bujar Sheshi.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e shkarkoi prokurorin Bajramaj për mosjustifikim të pasurisë me burime të ligjshme. Në dy kriteret e tjera të vlerësimit, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale, KPK nuk gjeti probleme. Institucionet ndihmëse në procesin e vetingut kishin dërguar pranë KPK-së raporte pozitive për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e prokurorit.

Bazuar në deklarimet e pasurisë së tij ndër vite, prokurori Artan Bajramaj nuk arriti të bindë KPK-në për burimet e ligjshme të një apartamenti në Tiranë dhe një apartamenti në Golem. KPK shprehu dyshime se Bajramaj mund të ishte përpjekur të fshihte pronësinë e tij mbi një makinë, e cila ndër vite herë figuronte në pronësinë e familjes së tij, herë në pronësinë e një kompanie të të afërmve të prokurorit. Gjithashtu, sipas KPK-së, Bajramaj kishte deklaruar pronësinë e një toke vetëm në vitin 2014, ndërkohë që ai figuronte pronar i saj edhe më parë.

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), që shkarkoi prokurorin Bajramaj sot, përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu.

Artan Bajramaj deklaroi se do ta apelonte vendimin e KPK-së.

Facebook Comments

MineralHygienics.com