Alket Arapi u arrestua menjëherë, pasi akuzohet për vrasjen e gruas së tij 36-vjeçare Ervilma Seferi sot në banesën e tyre në Allias.
Megjithatë, referuar edhe një tjetër ngjarje të ngjashme, e ndodhur në prill të 2016-ës del në pah një problematikë që zanafillën e nis që te rregullorja e brendshme e Gardës së Republikës, në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Një prej rregulloreve strikte që duhet të zbatojë çdo punonjës i Gardës është dorëzimi i armëve të zjarrit, pas përfundimit të turnit
“Për gardistët trupë shërbimi armët jepen vetëm për orarin e shërbimit dhe pas shërbimit ato kthehen në armëmbajtëse”, thuhet ndër të tjera në rregullore, e cila siç duket është shkelur nga gardisti dhe institucioni që e ka lejuar e për pasojë sot një tjetër grua u vra me armë zjarri.