November 22, 2024

Pushimet e padrejta nga puna, 13.4 milionë euro kosto më 2018

Buxheti i shtetit kreu rreth 2700 pagesa gjatë vitit të kaluar për të shlyer dëmshpërblimet e vendosura nga gjykatat për pushime të padrejta nga puna në administratën publike qendrore apo vendore me një kosto të përgjithshme prej 1.7 miliardë lekësh, bëhet e ditur nga të dhënat e thesarit të analizuara nga BIRN.

Faturat e klasifikuara si “Shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna” kanë konsumuar dhjetëramilionë euro gjatë viteve të fundit, fillimisht si pasojë e ndryshimeve masive në administratën publike pas ardhjes së socialistëve dhe LSI-së në pushtet në vitin 2013 dhe më pas, si pasojë e ndryshimeve në pushtetin vendor më 2015 si dhe e rënies së LSI në opozitë në vitin 2017.

Të dhënat e disponueshme nga viti 2014 e më pas tregojnë se në total, taksapaguesit kanë shlyer 11.6 miliardë lekë (rreth 93 milionë euro) për të shlyer shkarkimet e padrejta nga puna.

Gjatë vitit 2017, shpenzimet për këtë arsye ishin 1.8 miliardë lekë ndërsa në vitin 2016, shpenzimet për këtë arsye ishin 1.7 miliardë lekë të tjera. Këto pasojnë shpenzimet e viteve 2015 e 2014 respektivisht në masën 3.1 dhe 3.3 miliardë lekë.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave është shkaktarja më e madhe e pushimeve të padrejta nga puna, kryesisht si pasojë e funksionimit të dy institucioneve kryesore të shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Gjatë vitit 2018, kjo ministri pagoi 439 milionë lekë detyrime për pushime të padrejta nga puna në krahasim me 370 milionë lekët e shpenzuara më 2017. Gjithsesi, të dhënat e vitit 2018 përmbajnë edhe shpenzimet e ish-Ministrisë së  Bashkëpunimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila u bashkua me Ministrinë e Financave pas zgjedhjeve të vitit 2017.

Ministria e Mjedisit, e cila ndryshoi drejtim më 2017 nga LSI te PS, shtoi shpenzimet për pushime të padrejta nga puna në masën 186 milionë lekë më 2018 nga 109 milionë më 2017. Një pjesë e madhe e faturave të kësaj ministrie vijnë nga një e ashtuquajtur “reformë” e ndërmarrë pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur inspektoriati i pyjeve u shpërbë dhe inspektoriati i mjedisit u krijua, gjë që solli shkarkimin nga detyra të inspektorëve të mëparshëm dhe emërimin e inspektorëve të rinj.

Ministria e Shëndetësisë, e cila gjithashtu u ristrukturua duke përthitur ish-Ministrinë e Mirëqenies, është paguesi i tretë më i madh me 186 milionë lekë më 2018, pasuar nga Ministria e Drejtësisë me 128 milionë lekë.

Një nga institucionet publike me shumë fatura të tilla është edhe Bashkia Tiranë, e cila gjatë vitit të kaluar ka paguar 122 milionë lekë.

Proceset gjyqësore në Shqipëri zgjasin me vite dhe faturat e paguara gjatë vitit 2018 i përkasin pjesërisht pushimeve nga puna nga qeveria aktuale dhe pjesërisht pushimeve nga puna në vitet e shkuara.

Kostot buxhetore për pushime të padrejta nga puna janë bërë prej vitesh shqetësim për buxhetin e shtetit. Ministria e Financave krijoi një kategori të veçantë për këtë lloj shpenzimi në vitin 2014.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama fitoi një mandat të dytë qeverisës në vitin 2017 me premtimin e “dërgimit të tepsisë për skrap”, duke argumentuar se qeverisja me shumë parti ka sjellë probleme për vendin. Por të dhënat e pagesave të majme për pushime të padrejta nga puna sugjerojnë se shqiptarët do të vijojnë të paguajnë tepsinë.

 

Në lekë 2017 2018
Ministria e Arsimit 147,608,067 105,559,725
Ministria e Brendshme 218,349,484 122,045,118
Ministria e Bujqësisë 102,452,299 64,967,295
Ministria e Drejtësisë 155,745,937 128,153,824
Ministria e Financave 370,257,270 439,441,150
Ministria e Infrastrukturës 84,653,710 36,736,294
Ministria e Kulturës 34,275,644 17,564,085
Ministria e Mbrojtjes 134,973,226 133,915,673
Ministria e Mjedisit 109,510,929 186,443,411
Ministria e Shëndetësisë 85,516,779 172,942,603
Ministria e Jashtme 22,995,580 6,428,906
Të paspecifikuara 254,930,712 220,793,159

 

Link: Lista e pagesave për shkarkime të padrejta nga puna 2018

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com