November 22, 2024

Minatorët protestojnë/ Kerkojne miratimin e statusit

Dhjetëra minatorë po protestojnë sot përpara Kryeministrisë, në kërkim të miratimit të statusit të minatorëve, që prej vitesh i është premtuar, por ende vazhdon të mos votohet në parlament.

Minatorët, të shqetësuar nga rreziku i përditshëm për jetën që ndeshin gjatë punës, u shprehën se qeveria ka afat deri më 22 shkurt për të miratuar statusin, që mbron sadopak jetën e tyre dhe përmirëson kushtet e punës.

“Futemi në grevë urie po nuk u miratua statusi i minatorit. Do të futemi në grevë urie më datë 22 shkurt. Kemi 12 vjet që kërkojmë statusin”, u shprehën ata.

Ministria e Energjisë, që prej marsit të 2017-ës, ka njoftuar se po punon për hartimin e një statusi të veçantë për minatorët, bazuar në kërkesat e këtyre të fundit.

Disa nga kërkesat kryesore të minatorëve, janë paga minimale e tyre të jetë të paktën 70 mijë lekë në muaj, përfitimi i pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit dhe uljen e moshës së daljes në pension.

Po ashtu, minatorët kërkojnë të drejtën për të përfituar kontrolle mjekësore falas, dhe në rast të sëmundjeve profesionale, shteti t’i sigurojë kurimin mjekësor falas.

Aktualisht numërohen rreth 8 mijë punëtorë dhe ish-punëtorë të minierave. Ata janë një ndër grupet me jetëgjatësinë më të shkurtër krahasuar me qytetarët e tjerë, si pasojë e punës në kushte të vështira në nëntokë.

Nga kushtet e rrezikshme të punës, vetëm në muajt e fundit, kane humbur jeten tetë minatorë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.

Rasti i fundit, ishte ai i një minatori 53-vjeçar, që humbi jetën 3 ditë më parë, pasi u godit në kokë nga një masiv guri, teksa punonte në një galeri të minierës.

Facebook Comments

MineralHygienics.com