Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka replikuar sot në Kuvend me kreun e opozitës, Lulzim Basha, pas akuzave të këtij të fundit për fshehje të ngjarjes në Kavajë, ku u abuzua një vajzë e mitur. Lleshaj ka kërkuar nga Basha që të mos i drejtojë gishtin dhe e akuzoi se në jetëshkrim ka të paktën katër persona të vrarë, duke iu referuar 21 janarit të 2011-ës.
“Nuk mund ta nxini as Shqipërinë dhe as Ministrinë e Brendshme me këtë pompë të zezë boje. Kurrë nuk do të arrini të më shihni mua në pozicionin që ju keni qenë në 2011. Keni katër të vrarë në “CV”-në tuaj dhe 4 mijë të tjerë në tentativë për t’u vrarë. Prandaj kur të drejtoni gishtin mendohuni mirë”, u shpreh Lleshaj nga foltorja.
Ndërkohë që kreu i PD-së, Basha tha se këto teza janë propagandë e kryeministrit Edi Rama dhe se ministrit Lleshaj do i duhet pak kohë deri sa t’i mësojë përmendësh.
“Ty të duhet pak kohë që të mësosh përmendësh tezat e propagandës së Ramës dhe të pyesësh përse i promovoi ata që qëlluan mbi protestuesit”, replikoi Basha.