November 22, 2024

Policia kufitare e BE-së dhe kontrolli i kufijeve Shqiptar

Agjencia Europiane Kufitare dhe Rojeve Bregdetar, Frontex ka lidhur marrëveshjeme Shqipërinë për vendosjen e policëve të BE-së, në kufijtë e vendit tonë me qellim luftën ndaj emigracionit të paligjshëm dhe luftën ndaj krimit ndërkufitar.

Marrëveshja u firmos më 5 tetor 2018, nga Ministri i Brendshëm i Austrisë, Herbert Kockl dhe Dimitris Avramopoulos, Komisioneri për Emigracionin, Çështjet e Brendshme dhe nga ish-Ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë, javën e kaluar.

Kjo marrëveshje është një masë e re për përmirësimin e kontrollit të kufijve të jashtëm të BE-së, pas fluksit të madh të emigranteve të paligjshëm në vendet e BE-së.

Sipas, marrëveshjes Frontex do të zhvillojë operacione të përbashkëta me policinë shqiptare, me qëllim rritjen e kontrolleve në kufi. Gjithashtu, Frontex do të koordinojë operacione ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë për menaxhimin e kufijve me vendet e BE-së.

Ata do të kenë kompetencat dhe detyrat e Policisë Kufitare dhe të Migracionit të parashikuara në ligjin shqiptar “Për Policinë Kufitare”. Në ushtrimin e detyrës së tyre, ata do të shoqërohen nga një roje kufitare ose përfaqësues tjetër i policisë shqiptare.

Në raste të jashtëzakonshme marrëveshja parashikon se këta agjentë mund të veprojnë në emër të  Shqipërisë, për të përmbushur detyrat e tyre. Pra, në këto raste punonjësit e FRONTEX do të marrin kompetencat e policisë shqiptare, duke vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar.

Gjithashtu, ata kanë të drejtën të ndërhyjnë dhe të përpunojnë të dhënat personale. Sipas, nenit 9, të marrëveshjes në rast se është e nevojshme shteti shqiptar mund të lejojë agjentët të  përpunojnë dhe transferojnë të dhënat personale për të përmbushur detyrat e tyre.

Agjentët në ushtrim të kompetencave mund të përdorin armë të ndryshme, të cilat lejohen në vendet e tyre të origjinës dhe gjithashtu gëzojnë imunitet të plotë nga juridiksioni shqiptar.

Bashkimi Evropian kërkoi praninë e Frontex në Shqipëri që prej vitit 2017, kohë kur vendi ynë u kthye në një vend kalimi për emigrantët e paligjshëm të kombësive të ndryshme që donin të kalonin në Evropë, por dhe në vend-burim për shumë azilkërkues shqiptarë në vendet e BE-së.

Facebook Comments

MineralHygienics.com