November 22, 2024

Shahini: Paktin për Universitetin e ndryshojmë siç doni ju

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka bërë një tjetër tërheqje ndaj pedagogëve dhe studentëve protestues. Me anë të një reagimi në ‘Facebook’, ku njofton se shumë studentë i shkruajnë se duan të kthehen në mësim, ministrja Shahini akuzon pedagogët për bojkotin, disa prej të cilëve i quan partiak.

Gjithsesi, Shahini shprehet e hapur që Paktin për Universitetin, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama, ta ndryshojë siç duan aktorët e përfshirë. “Asgjë nuk është e shkruar në gur”, thotë ministrja.

Duket se këmbëngulja e studentëve dhe pedagogëve protestues po jep efekt te Qeveria, që ndryshe nga pak javë më parë, sot shprehet e hapur për të pranuar çdo ndryshim.

Reagimi i plotë i Besa Shahinit:

Çdo ditë më shkruajnë studentë që duan të kthehen në mësim tek fakultetet ku disa pedagogë kanë vendosur të mos mbajnë mësim. Më vjen keq që këta pedagogë, disa prej tyre haptazi partiakë, në vend që të shfrytëzojnë këtë momentum të krijuar nga protesta e të marrin pjesë në proces tashmë të filluar të adresimit të çështjeve që kanë, vendosin të bëjnë bojkot kur ky mjet proteste nuk ka më kuptim.

Më vjen keq gjithashtu që udhëheqësit e Universitetit të Tiranës nuk merren me pjesën që u takon për të adresuar çështjet që kanë pedagogët dhe studentët.

Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të diskutojmë me studentë dhe pedagogë për #paktinpëruniversitetin duke përmbushur pjesën tonë të zotimit që morrëm në dhjetor. Nëse universitetet janë të gatshme të plotësojnë kërkesat e studentëve, ne vëmë resurse në dispozicion dhe ua lëmë universiteteve të udhëheqin procesin.

E kemi thënë disa herë: asgjë nuk është e shkruar në gur. #paktipëruniversitetin është një pikënisje – mund ta pasurojmë dhe ndryshojmë siç duan aktorët e përfshrirë. Por kjo nuk ndodh me bojkot dhe ultimatum. Kjo ndodh me përfshirje dhe kontribut në procesin e pakthyeshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit te lartë dhe eksperiencës studentore në Shqipëri.

Facebook Comments

MineralHygienics.com