November 23, 2024

Studentët ekselentë / Ja sa do paguhen ne administrate

Pakënaqësinë e studentëve që mbushën në dhjetor rrugët e Tiranës për të protestuar kundër cilësisë së dobët të arsimit dhe tarifave të larta, kryeministri Edi Rama po përpiqet ta zbusë edhe nëpërmjet planit për të punësuar në administratë rreth 800 studentë ekselentë.

499 vende pune janë listuar në portalin “Punë të Mbarë” dhe ku kërkohet që studenti të ketë të paktën nivelin ‘bachelor’ për t’u konsideruar kandidat. Pjesa tjetër e vendeve të lira kërkojnë që studenti të ketë master profesional apo shkencor.

Politiko.al ka bërë një vëzhgim të pagës që një student ekselent me diplomë bachelor do marrë nëse fiton një prej këtyre vendeve të lira. Nga 499 vende pune për 480 prej tyre janë bërë publike kategoritë e pagave.

Nëse 206 ekselentë do të arrijnë të punësohen në këtë portal ata do të paguhen 380 mijë lekë të vjetra në muaj (304 euro), pasi paga e tyre do të jetë pjesë e kategorisë IV-b.

Për 269 ekselentë të tjerë paga do të jetë 490 mijë lekë të vjetra në muaj (393 euro), duke u përfshirë në kategorinë IV-a.

Ndërsa vetëm pesë vende punë të listuara në këtë portal kanë një pagë të kategorisë IV-c, thënë ndryshe 295 mijë lekë të vjetra në muaj (236 euro).

Nëse vlerësojmë me standardet e Shqipërisë, dy kategoritë e pagave të sipërpërmendura mund të konsiderohen nga shumëkush “të kënaqshme” për një të ri që përfundon ciklin e parë të studimeve në moshën 21 apo 22 vjeç. Gjithsesi, këto rroga janë larg standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian, atje ku emigrojnë studentët ekselentë (ose jo) të Shqipërisë.

Facebook Comments

MineralHygienics.com