Velina e emisionit investigativ në Klan, Alesia Bami është pushuar nga puna, për shkak se nuk ka marrë leje për të dhënë një intervistë ku ishte e ftuar në Top Channel.
Tre ditë më parë, Alesia ishte e ftuar në emisionin e pasdites “Ftesë në 5”, gjë që i ka kushtuar dhe vendin e punës.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo ka konfirmuar vendimin e tv Klan dhe thekson se u largua në mënyrë flagrante me një mesazh.
“Të dashur miq! Ashtu siç e keni vënë re dhe ashtu siç kanë shkruar portalet unë nuk jam më pjesë e emisionit ‘Stop’. Kjo për faktin e vetëm se dhashë një intervistë në ‘Top Channel’ dhe më larguan nga puna në mënyrë flagrante me një mesazh. Kjo tregon nivelin e atyre që janë punëdhënësit tonë dhe sa të mbrojtur nga ligji janë punonjësit e mediave, ku nuk respektohet asnjë kontratë pune, aq më pak Kodi i Punës. Sigurisht, që nuk jam as e para as e fundit. Jam e detyruar ta bëj këtë sqarim për gjithë publikun tim dhe gjithë ata që më kanë shkruar dhe suportuar pa fund. Së shpejti do të shihemi në një projekt të ri”, shkruan Alesia Bami.