Ka përfunduar takimi mes gjashtë pedagogëve të Universitetit të Tiranë dhe ministres së Arsimit Besa Shahini, sot kur skadoi edhe ultimatumi i asamblesë për anulimin e ligjit për arsimin, si dhe rishikimin e VKM-ve.
Pas takimit, pedagogu Mark Marku tha para gazetarëve se mbledhja nuk pati rezultat dhe se ministrja la të kuptojë se nuk plotëson asnjë prej kërkesave të parashtruara.
Për këtë, Marku tha se do të pritet deri në mbrëmjen e ditës së sotme dhe më pas do të merret vendimi për grevë urie nga pedagogët, siç kanë paralajmëruar.
“Diskutuam rreth kërkesave tona në këtë takim. Nuk pati qëndrim konkret nga ministrja dhe nuk u shpreh gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Tentoi ta çojë diskutimin drejt një diskutimi jorezultativ. E konsiderojmë si mospërgjigje ndaj kërkesave, presim deri në darkë për një përgjigje konkrete.
Më pas mbledhim asambletë dhe do marrim një vendim për këtë mosreagim ndaj kërkesave tona.
U diskutua shumë, por nuk ra dakord për asgjë, s’ka vullnetin për t’ju përgjigjur gjendjes së rëndë në universitet, apo për shqetësimet e studentëve dhe pedagogëve”, tha pedagogu i Filologjisë.
Lidhur me paralajmërimin se do të htjnë në grevë urie, Marku tha: “Vendimi për greve duhet të diskutohet nga pedagogët, por do presim deri në darkë, në të kundërt e konsiderojmë refuzim të kërkesave tona.
Ministrja u përpoq të na mbushte mendjen sa i mirë është pakti për universitetin. Nëse kolegët bien dakord, kjo do jetë grevë e pedagogëve, kurse studentët kanë axhendën e tyre, jo detyrimisht është e njëjta gjë.