Katër muaj seanca plenare të përjavshme, por shumë prej deputetëve nuk u është dëgjuar një herë të vetme zëri në foltoren e Kuvendit.
Instituti i Studimeve Politike ka publikuara një raport monitorues mbi Kuvendin e Shqipërisë, sesioni parlamentar shtator-dhjetor 2018.
Ndër të tjera, rezulton se në katër muaj, 36 deputetë nuk janë parë e dëgjuar të flasin asnjëherë të vetme.
Pjesë nga raporti:
Në bilancin e debateve parlamentare ka vlerë publike të njihen edhe lista e deputetëve të “heshtur”, të cilat nuk kanë marrë pjesë në debate në seanca, nuk kanë iniciuar ndonjë ligj, nuk kanë debatuar dhe si të tillë, nuk kanë lënë gjurmë parlamentare në seancat plenare. Në listë bëjnë pjesë një numër i madh deputetësh nga opozita, të cilat janë penalizuar edhe për shkak të hapësirës së kufizuar për tu angazhuar në 1-3 seancat ku opozita ishte e pranishme, dhe që kanë pasur marrëdhënieve të kushtëzuara me Kuvendin. Në total në këtë listë bëjnë pjesë 16 deputetë të PD-së dhe 6 të LSI-së. Në listën e deputetëve të PD-së bëjnë edhe pjesë deputetë me nivel të lartë angazhimi në periudhat e mëparshme, si Albana Vokshi e Grida Duma, ndërkohë që në listë bëjnë pjesë edhe disa deputetë që tradicionalisht qëndrojnë pasiv në aktivitetin dhe debatet parlamentare e publike. Edhe në listën e LSI-së pa diskutime në katër muaj bëjnë pjesë deputetë që kanë pasur angazhime më përpara, si Spahiu, etj. Por në listë bëjnë pjesë edhe deputetë të mazhorancës, PS dhe partive të vogla, të cilët kanë qenë gjithë kohën në parlament, kanë votuar rregullisht “pro” të gjitha akteve parlamentare sipas vendimit politik të partisë së tyre, por që nuk janë përfshirë në asnjë nga debatet mbi ligjet apo vendimet e tjera të parlamentit. Në listë marrin vëmendje deputetët e mazhorancës, të cilët kanë qenë pothuajse 100% pjesëmarrës në seancat plenare dhe megjithatë nuk janë aktivizuar në asnjë nga debatet e zhvilluara. Deputetët, përveçse në debatet mbi ligjet dhe projektet e ndryshme në axhendë kanë edhe të drejtën e diskutimeve të lira mbi problematika që lidhen me zonën e tyre zgjedhore ose çështje që ata i çmojnë si të rëndësishme. Në këtë sesion kjo e drejtë thuajse nuk është përdorur fare. Midis emrave pa asnjë angazhim parlamentar në seanca, gjendet kryesisht deputetë prurje nga biznesi, si dhe rreth 6 deputetë që nuk kanë pasur asnjë angazhim as në sesionin parlamentar janar-dhjetor 2018. Pra, tabelat krahasuese tregojnë se tashmë është krijuar një kategori deputetësh që nuk kanë angazhim parlamentar dhe as nuk lënë gjurmë politike aty, por që kanë arritur të kenë, në ndonjë rast, edhe 3 deri 4 mandate të njëpasnjëshme parlamentare.
Aftësia për debat nuk është kriter për deputetët, por është një prej standardeve të të bërit politikë. Fakti se individë të tillë arrijnë të mbijetojnë në politikë pa bërë politikë, është një prej dobësive thelbësore të sistemit tonë përfaqësues dhe një shenjë kritike mbi mënyrën se si funksionojnë vendimmarrjet në partitë tona politike.