Ish-nënkryetari i PD, Jemin Gjana u është përgjigjur akuzave të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli për Kryesinë e re të PD.
Topalli i quajti delegjitime Kryesinë e re, pasi sipas saj ekipi i ri është pa identitet dhe pa staturë politike.
Në një intervistë për gazetën ‘panorama’, kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD flet për një proces korrekt dhe demokratik në përzgjedhjen e lidershpit të ri në PD.
Sipas tij nuk është normale që t’i kërkohet Bashës të bëjë pjesë të ekipit të tij njerëz që pavarësisht pozicioneve që kanë mbajtur në vite në parti, gjykojnë dhe merren me çdo veprim të tij dhe duke mos marrë pjesë në asnjë proces të brendshëm të PD.
“ Janë qëndrime denigruese, pretendimet e Topallit nuk qëndrojnë. 4-5 të parët kanë u shpallën fitues në Kryesi se kanë patuar më shumë se gjysmën e votave”, tha Gjana, i cili komentoi edhe pretendimet për mospublikimit të listës së fituesve sipas votave.
“Votat janë numëruar me zë për secilën fletë. Kur u mbyll procesi, bëra përmbledhjen dhe lexova votat e marra nga secili kandidat. Nga lista ishte vetëm një grua, nga e cila duhet të dilnin minimalisht 5 gra fituese. Prandaj u bë edhe spostimi i 4 burrave nga fundi dhe janë zëvendësuar. Unë kam qenë kundër publikimit të votave pasi ka patur emra që morën pak vota dhe për to do të spekulohej për procesin. Topalli mund të votonte se është anëtare e Këshillit Kombëtar. Sa i takon ekipit të ri dua të sqaroj se duket sikur njerëzit që kanë patur karrige në pozicione të larta në PD janë më kryesorët. Në fakt, puna nuk është bërë vetëm nga ata. Aq kontribut sa pati Bode në financat shqiptare, aq ka edhe Sherefedin Shehu, anëtar i kryesisë së PD. Reformat i përgatit grupi i punës që vijnë nga nivelet e dyta. S’mund të them që Çlirim Gjata është pa background politik e profesional. Grida Duma ka qenë zv.ministre me Majlinda Bregun, por shumë herë nuk i lëshonin rrugë njëra tjetrës. Dhurata Çupi ka qenë juriste në ministrinë e Brendshme, pra s’kanë qenë anonim”, u shpreh Gjana.