November 23, 2024

Luan Dervishi, KPK zbardh arsyet për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit

Probleme të shumta në deklarimet e pasurive dhe mungesa e profesionalizimit kanë çuar në vendimin që treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Pamela Qirko anëtare, kanë marrë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, Luan Dervishi – vendim i cili u shpall më datë 26 nëntor 2018.

Ndërkohë, komisioni ka dalë me mendim ndryshe nga ai i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, që kishte rekomanduar papërshtatshmërinë e gjyqtarit Dervishi për vazhdimin e detyrës.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit të pasurisë, komisioni ka konkluduar se gjyqtari Luan Dervishi ka kryer deklarime të pasakta, nuk ka pasur burime të ligjshme për justifikimin e pasurive, ka kryer fshehje pasurie, ka pasur deklarim të rremë dhe ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.

Gjyqtar prej vitit 1982, Luan Dervishi u përfshi në listën prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të thirrjes së dytë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Dervishi shprehu gjithashtu interesin për të qenë pjesë e institucionit të ri të drejtësisë.

Si pjesë e procesit të rivlerësimit, KPK ka administruar raportet e Inspektoriatit të Lartë për Kontrollin dhe Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Më tej KPK ka ndërmarrë një hetim administrativ të pavarur dhe të thelluar ndaj subjektit për të tre kriteret e rivlerësimit, përfshirë psurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Probleme me pasurinë

Në raportin që ILDKPKI ka dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkruhet se  është konstatuar që deklarimi i gjyqtarit Dervishi nuk është i saktë në përputhje me ligjin dhe ka mungesë dokumentacioni justifikues ligjor. Ky raport nënvizon se subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interesave, por ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; nuk ka kryer fshehje të pasurisë dhe nuk ka kryer deklarim të rremë.

Ndërkohë, nga hetimi administrativ i kryer nga Komisioni, janë konstatuar probleme në të gjitha pasuritë e paluajtshme, në likuiditetet dhe se subjekti ka fshehur shpenzimet për shkollimin e vajzës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe transferta disa mijëra dollarëshe drejt këtij vendi.

Lidhur me një truall për të cilin gjyqtari Dervishi ka sqaruar në deklaratën “Vetting” se ka në bashkëpronësi 1/8 pjesë të 365 m2 truall, respektivisht 48 m2, komisioni ka konstatuar parregullsi në mënyrën e përfitimit. Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003 pranë ILDKPKI-së , ai ka deklaruar se këtë sipërfaqe trualli, sipas pjesës takuese 48 m2 e ka blerë në shumën 2.400 USD me burim krijimi të ardhurat nga puna e tij dhe e bashkëshortes ndër vite, ndryshe nga sa ka deklaruar në vitin 2017, kur ka deklaruar se e kishte dhuratë.

Komisioni ka konstatuar se Dervishi e ka fituar pronësinë e këtij trualli me anë të kontratës së dhurimit të datës 25.09.1998, vërtetuar me anë dokumentacionit të ardhur nga Zyra Vendore e Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe nuk e ka blerë siç dhe ai deklaron në vitin 2003 pranë ILDKPKI-së. “Gjithashtu, subjekti nuk ka arritur të provojë se personat e tjerë të lidhur/dhuruesit e këtij trualli kishin të ardhura nga burime të ligjshme për këtë dhurim të bërë”, shkruhet në vendim.

Ndërkohë, në lidhje me burimin e krijimit që ka shërbyer për ndërtimin e një apartamenti 125 m2 dhe garazhit 40 m2 në Tiranë, në deklaratёn “Vetting” të vitit 2017, Dervishi deklaron se si burim kanё shёrbyer tё ardhurat e tij dhe tё bashkëshortes nga punësimi ndёr vite. Ndërkohë qё nё deklarimin për herë të parë në vitin 2003, ka deklaruar si burim krijimin e të ardhurave nga avokatia, shitjen e shtëpisë në Librazhd dhe shitjen e zyrës në Librazhd. Ndërsa në deklarimet e bëra në përgjigje të pyetjeve në tetor 2018, ai e ka ndryshuar sërish deklarimin, duke i përfshirë të gjitha ato që kishte pohuar më parë. Kështu, në deklaratën e vitit 2018, Dervishi ka pretenduar se si burim krijimi për ndërtimin e shtëpisë 125 m2 kanë shërbyer të ardhurat nga puna e tij dhe bashkëshortes ndër vite; të ardhurat nga avokatia; të ardhurat nga shitja e shtëpisë dhe zyrës në Librazhd.

Pёr tё ardhurat nga puna ka rezultuar se gjyqtari Dervishi për periudhën 1993-1998 ka fituar shumën 484.369 lekë, ndërsa bashkëshortja ka pasur të ardhura në shumën 539.621 lekë për periudhën 1994-1998. Në total të dy kanë shumën prej 1.024.000 lekësh. Për mobilimin e apartamentit deri më datë 31.12.1998, ka rezultuar se Dervishi ka shpenzuar shumën prej 120.000 lekësh. Në emër të tij figuron një depozitë kursimi me afat 12 mujor në shumën 897.807 lekë, në Bankën e Kursimeve, pa përcaktuar vitin se kur, si dhe burimin e kësaj depozite, ndërsa në “Raiffeisen Bank” është konstatuar se Dervishi ka depozitë në shumë prej 959.081,38, lekësh gjendje më datë 21.12.2004, shumë e cila ka kaluar nga Banka Kursimeve.

Nga hetimi administrativ, duke krahasuar deklaratën “Vetting” të vitit 2017, deklaratën për herë të parë, në vitin 2003 dhe përgjigjet e pyetësorit në tetor 2018, komisioni ka konstatuar mospërputhje deklarimesh në lidhje me burimin që ka shërbyer për blerjen e këtij apartamenti.

Gjithashtu në vendim thuhet se nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues ligjor për të ardhurat e siguruara nga viti 1989, kur ka filluar punë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Librazhd, për periudhën, 1989 – dhjetor 1992, me cilësinë e kryetarit të gjykatës dhe se nuk është përcaktuar koha e fillimit dhe përfundimit të apartamentit të ndërtimit, si dhe të shlyerjes së çmimit të kontraktuar.

Sipas Komisionit, gjyqtari Dervishi nuk ka arritur të dokumentojë edhe pagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat e përfituara nga shitja e banesës dhe zyrës në qytetin e Librazhdit, përkatësisht në vitet 1997 dhe 1998, në vlerën 42.000 lekë.

Komisioni vlerëson se gjyqtari Dervishi lidhur me këtë pasuri, ka kryer deklarim të rremë.  “Duke ju referuar deklarimeve të tij në vitin 2003 pranë ILDKPKI-së, deklaratës “Vetting” dhe në përgjigje të pyetësorit, ka mospërputhje të deklarimeve, ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e pasurisë dhe mobilimin e saj”, citohet në vendimin e komisionit.

Në lidhje me të ardhurat e përfituara nga qiraja e këtij apartamenti dhe garazhi në vitin 2013, 2014 dhe 2015, në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, gjyqtari Dervishi ka deklaruar se për vitin 2013 ka pasur të ardhura nga qiraja shumën prej 550.000 lekësh. Edhe në deklarimin periodik të vitit 2014 ka deklaruartë ardhura nga qiradhënia e banesës dhe garazheve në shumën 550.000 lekë. Komisioni ka konstatuar se ka mungesë të dokumentacionit justifikues ligjor për dhënien me qira për periudhën 1 janar 2013- 1 korrik 2014. Gjithashtu, ka evidentuar mospërputhje të vlerës së përfituar të qirasë referuar deklarimeve të viteve 2014 dhe 2015 si edhe mungesë dokumentacioni për pagimin e tatimit të qerasë pasi ndër vite nuk ka të deklaruar dhe paguar tatimin mbi qiranë.

Komisioni ka konstatuar shmangien detyrimeve tatimore nga ana  gjyqtarit Dervishi edhe në lidhje të ardhurat nga qiraja e tre garazheve për vitet 2004, 2005 dhe 2006.

Mospërputhje në deklarimet e gjyqtariut dervishi janë konstatuar edhe në një depozitë pranë “Credins Bank”, të krijuar më datë 08 shtator 2009, gjendja e së cilës më datë 11 tetor 2016, bashkë me interesat ka qenë në vlerën 1.452.532,06 lekë. Sipas komisionit, mospërputhjet janë evidentuar në burimin e të ardhurave për krijimin  kësaj depozite.

Një tjetër pasuri që Komisoioni ka gjetur me problem është edhe njё automjet, tip “Ford Focus”, që kaluar në pronësi në bazë të kontratës së shitjes, datë 15 shkurt 2011, me shitës “Albanian Motors Company”, blerё nё shumёn 13.900 euro. Si burim krijimi, gjyqtari Luan Dervishi ka deklaruar të ardhurat nga puna e bashkëshortes dhe djalit.

Por, komisioni ka konkluduar se gjyqtari Dervishi ka kryer deklarim tё rremë nё lidhje me mёnyrёn e shlyerjes dhe burimin qё ka shёrbyer pёr blerjen e kёtij automjeti, se nuk ka deklaruar në deklaratën “Vetting” huan e marr si burim i krijimit për automjetin, tip “Ford Focus”, ndёrkohё qё nё deklaratёn periodike vjetore tё vitit 2011, deklaron se automjetin e ka blerё me njё pjesё nga huaja e marrё.

Në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, Dervishi ka deklaruar se ka likuiditete nё cash shumёn prej 1.100.000 lekёsh, gjendje deri, mё datё 31 dhjetor 2016 dhe si burim pёr kёtё likuiditet, ka pohuar se kjo gjendje ёshtё kursyer nga paga për vitet 2013, 2014 dhe 2015 deri më datë 31.12.2016. Komisioni ka konstatuar mospërputhje nё lidhje me burimin e krijimit midis deklarimeve nё deklaratën “Vetting” për vlerën 1.100.000 lekë, gjendje cash në datë 31 dhjetor 2016, me deklarimet nё deklaratat periodike vjetore, pёr vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016.

Lidhur me banesën me sipërfaqe 60 m2 në Tiranë, në të cilën gjyqtari Dervishi banon aktualisht, komisioni, ka arritur në pёrfundimin se ka dyshime tё arsyeshme se ai ёshtё pёrpjekur tё fshehё këtë banesë, duke e regjistruar nё emёr tё një personi tjetёr tё lidhur me të. Në vendim shkruhet se gjyqtari Luan Dervishi banon tek ky apartament prej 7 vitesh pa ndёrprerje dhe pa kundёrshpёrblim dhe se administratorёt e shoqёrise sipёrmarrёse janё tё njёjtё me ata qё kanё ndёrtuar apartamentin tjetёr me sipёrfaqe prej 125 m2 dhe janё persona qё kanё lidhje shoqёrore me të.

Sipas komisionit, vjehrra e tij jeton nё SHBA nga viti 2009 dhe nuk kishte asnjё arsye se pёrse duhet tё blinte njё pronё tё cilёn nuk e jep me qira apo nuk jeton vetё aty. “Prokura pa afat qё nëna e bashkëshortes së gjyqtarit ka lëshuar mё datё 8 tetor 2012, që ta përfaqësojë atë pranë të gjithë institucioneve administrative për tërheqje, nënshkrimin, dorëzim dhe kërkim të çdo lloj dokumenti që lidhet me kёtё apartament, të veprojë në emër e për llogari të saj për të lidhur dhe nënshkruar aktin përfundimtar të shitblerjes së pronës, ka të drejtë të aplikojë pranë ZVRPP-së Tiranë, për regjistrimin e kësaj prone, pranë ALUIZNI-t, të lëshimit me qira të pronës duke marrë vlerën e qirasë, caktuar çmimin dhe prishë kontratën, nuk justifikon ligjshmёrinё e krijimit tё shumёs prej 30.000 eurosh qё ka blerё kёtё apartament as për vete dhe as për djalin”, thuhet në vendim. Sipas komisionit, Znj. M.Sh., së bashku me të birin, Z. S. Sh., kanë të regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme një shtëpi tjetër, apartament me sip.62,16 m2 në bashkëpronësi, e regjistruar pranë ZVRPP-së Tiranë, më datë 28 qershor 2017, ndёrkohё qё nuk justifikuan ligjshmërinë e krijimit tё shumës prej 30.000 eurosh.

Objekt verifikimi është bërë edhe blerja e një autoveture nga djali i gjyqtarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nё deklaratën “Vetting” të vitit 2017, djali i gjyqtarit Dervishi ka deklaruar se ka blerё njё automjet tё markёs “Toyota Camry”, me vlerё 64.000 USD, me burim krijimi kredinё tek “American Lease” Brooklyn NY USA, më datë 15 nëntor 2014.

Nga hetimi KPKi ka gjetur se ai jeton dhe banon SHBA dhe se ka marrë me qira financiare (leasing) në shumën prej 64.000 USD24, më datë 15 nëntor 2014, te shoqёria “American Lease Brooklyn NY”., të cilën rezulton se ka shlyer pjesërisht, konkretisht, 2.950,34 USD, shlyer deri më datë 31 dhjetor 2014, 18.226,93 USD, shlyer deri më datë 31 dhjetor 2015; 14.854,38 USD, deri më datë 18 tetor 2016. Ndërsa shuma e detyrimit e mbetur pa shlyer deri më datë 11 maj 2018 është nё vlerёn 27.968,35 USD.

Sipas komisionit, dokumentacioni i dërguar nuk është i plotë pasi për vitin 2009 nuk ka informacion për të ardhurat; të ardhurat e evidentuara në deklarimet vjetore të taksave në USA janë paraqitur në vlerën bruto si dhe viti 2015 nuk është dokument i plotë dhe i qartë.

Komisioni, pasi ka kryer analizën e gjithë provave ka arritur nё pёrfundimin se gjyqtari Dervishi nuk shpjegoi bindshёm burimin dhe ligjshmёrinё e tё ardhurave tё djalit tё tij pёr pagimin e kredisё sё blerjes sё makinёs nё shumё prej 64.000 USD, sipas kësteve të pagesës.

“Lidhur me shpjegimet e dhëna nga ana e subjektit të rivlerësimit se: personi i lidhur/djali i tij ka punuar nё SHBA, pёr disa nga shёrbimet qё ka kryer u ёshtё shmangur pagimit tё taksave direkt apo detyrimeve tё tjera, përveç punёs sё kryer nё shoqёritё ……. Për sa më sipёr, Komisioni arsyeton se subjekti i rivlerësimit e pranon dhe vetё se tё ardhurat e djalit nuk kalojnё testin e nenit D, pika 4 tё Aneksit tё Kushtetutёs, nё kёto kushte ato nuk konsiderohen pёr efekt analize financiare si të ardhura të ligjshme”, citohet në vendimin e komisionit.

Komisioni ka gjetur se gjyqtari Dervishi ka fshehur shpenzimet e studimeve të vajzës në SHBA. Kështu, në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, vajza e tij ka deklaruar se është e punёsuar nё një kompani duke filluar më datë 19 shtator 2016 me pagё mujore 3.070 USD dhe deklaron tё ardhura neto të përfituara në shumën prej 3.000 USD.  Në deklarimin periodik të vitit 2016 ka deklaruar si shumën e të ardhurave neto, vlerën 20.800 USD me përshkrimin “e punësuar si analiste e shitjeve për vitin 2016”.

Komisioni ka konstatuar se, nga viti 2012 – 2016, vajza e gjyqtarit Dervishi ka kryer studimet në universitet. Sipas deklarimeve ajo ka filluar studimet e sistemit 4-vjeçar në shkollën e Lartë Private -“Pace University “Neë-York Manhattan” në SHBA dhe në vitin 2014, është transferuar në universitetin publik,”Binghamton University “Qyteti Binghamton”, Neë-Yok, SHBA. Ndërkohë, referuar dokumentacionit të dërguar, më datë 13 nëntor 2018 nga vetë gjyqtari Dervishi, vajza e tij ka përfituar bursë përkatësisht për periudhën vjeshtë 2012 në vlerë 7.500 USD, për periudhën pranverë 2013 shumën 7.500 USD, si dhe për periudhën vjeshtë 2013 shumën 7.500 USD. Në total për vitin 2013 shuma e përfituar nga bursa ka qenë 15.000 USD.

Komisioni, ka arritur në konkluzionin se vajza e gjyqtarit ka bërë deklarim të pasaktë të të ardhurave të saj në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, pasi ka mospërputhje të shumës së të ardhurave krahasuar me deklarimin e bërë në deklaratën e interesave private, periodike vjetore 2016.

Gjithashtu, sipas komisonit, gjyqtari Dervishi nuk provoi me dokumentacion ligjor provues pagesën e kryer pranë “Universitetit Binghamton” për një semester duke lënë në hije shumën e paguar për shkollimin e vajzës në këtë universitet. Sipas komisionit, gjyqtari Dervishi ka fshehur shpenzimet reale të shkollimit të vajzës, ku sipas dokumentacionit rezultoi 8.721.836,651 lekë, ndërkohë që subjekti ka deklaruar vetëm 5.128.950 lekë.

Në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, gjyqtari Luan Dervishi ka ka deklaruar të ardhurat e tij, të bashkëshortes dhe të djalit në shumën totale prej 36.848.148 lekësh. Ndëkohë, komisioni ka konstatuar se, të ardhura me dokumentacion justifikues ligjor, janë 31.672.748 lekë.

Për analizimin financiar të deklarimeve ndër vite të sgjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi, komisioni konkluduar se ai ka kryer deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin për sa i përket kursimeve të vitit 2005, nuk ka deklaruar shtesat në llogarinë e pagës në “Raiffeisen Bank” në emër të tij në vlerën 267.335 lekë, në deklarimin periodik të vitit 2006, ka fshehur depozitat pranë “Credins Bank”, në emër të bashkëshortes në vlerë totale 2.002.000 lekë, nuk ka deklaruar depozitën në lekë në vlerë 1.857.717 lekë pranë “Raiffeisen Bank”, në vitin 2008. Gjithashtu po këtë vit nuk ka deklaruar se nga llogaria e bashkëshortes në USD, janë kryer 5 transferta me jashtë në vlerë totale 19.692.25 USD, prej të cilave shuma 13.672.25 USD ka pasur përfitues, znj. E. D, ndërsa shuma 6020 USD është transferuar në llogari të z. A. M dhe znj. D. Sh., më datë 4 gusht 2008, sipas të dhënave të “Credins Bank”.

Komisioni ka konstatuar se, në deklarimin periodik të vitit 2012, ai nuk ka deklaruar në rubrikën “Detyrime” shumën e huas së pashlyer të marrë në vitin 2011 në vlerën 7.000 euro. Ndërsa në deklarimin periodik të vitit 2013, nuk ka pasur mjete monetare për të justifikuar krijimin e pasurive, shtesat në likuiditete dhe shpenzimet e deklaruara, konkretisht pagesën e një huaje 500 mijë lekë, pagesë studimi 1.500.000 lekë, pagesa për pushime 308.462 lekë dhe pagesat për shpenzime jetese në shumën 750.000 lekë.

Komisioni ka konstatuar në një rast edhe konflikt interesi të gjyqtarit Luan Dervishi, lidhu me aksione “Bono Privatizimi” në vlerë 125.000 lekë.

Nё deklaratё “Vetting” të viti 2017, ai ka deklaruar pasuri “bono privatizimi” në vlerën 125.000 lekë, të përfituara nga bashkëshortja në bazë të ligjit tё privatizimit, si punonjëse e shoqërisë “ALBtelecom” Tiranë. Si burim krijimi, gjyqtari ka deklaruar ligjin e privatizimit pёr punonjёsit e “ALBtelecom”. Por komisioni, ka dalë nё konkluzionin se gjyqtari Luan Dervishi, ёshtё nё situatёn e konfliktit tё interesit, pasi në cilësinë e gjyqtarit nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik.

Figura, KPK vlerësim ndryshe nga DSIK

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka kryer kontrollin e figurës së gjyqtarit Luan Dervishi prej nga ka konkluduar “Papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës”, për shkak se, disponohen të dhëna për përfshirje në veprime korruptive, gjatë gjykimit të një çështje penale.

Por, pasi komisioni ka vlerësuar gjithë provat e paraqitura nga DSIK, ka arritur në përfundimin, se gjyqtari Dervishi nuk rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës pasi në raportin e dërguar nga ky institucion nuk përmban rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar. Për këtë arsye, komisioni ka arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe se të dhënat e DSIK nuk mund të konsiderohen si shkak për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit.

I paaftë për të kryer procedura gjyqësore

Një ndër çështjet që ka dëmtuar pozicionin e gjyqtarit Luan Dervishi në procesin e vlerësimit të aftësive profesionale ka qenë edhe shqyrtimi i dosjes penale në ngarkim të të pandehurit S.M., të cilin treshja gjykuese ku bënte pjesë edhe ai, dënimin me 10 vjet burg që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, e kanë ulur në 4 vjet. Bëhet fjalë për vrasjen e një 13-vjeçari me mjete të forta në shtator të vitit 2010 në Dukagjin, nga i pandehuri S.M. së bashku me dy persona të tjerë. Vogëlushi po kulloste bagëtitë kur u vra duke u masakruar me mjete të forta nga tre persona, mes tyre edhe S.M., me qëllim marrjen e një varseje me forcë. Por, në Gjykatën e Apelit Shkodër, ndryshe nga kolegët e Shkallës së Parë, treshja e përbërë nga gjyqtarët M. H., F. V. dhe Luan Dervishi lehtësuan pozitën e S.M.-së.

Për të gjykuarin S.M. e bë ndryshim i kualifikimit ligjor nga vepra penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer ndaj të miturit në bashkëpunim parashikuar nga neni 79/a-25 i Kodit Penal, në veprat penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” e “Moskallëzim krimi” parashikuar nga nenet 80 e 300 të Kodit Penal, duke lehtësuar në këtë mënyrë pozitën e të pandehurit. Pas daljes nga burgu, i gjykuari S.M. kreu vrasjen e një çifti çek, që kishin mbërritur në alpet shqiptare për turizëm.

Në vendim thuhet se komisioni ka arritur nё pёrfundimin se gjyqtari Dervishi në këtë çështje, nuk ka respektuar një vendim të KLD-së, pasi gjykimi ka zgjatur për një periudhë kohore prej 10 muaj e 21 ditë nga momenti i kalimit të çështjes me short, pra jashtë afatit 9 mujor të përcaktuar, duke e konsideruar se nuk ka qenë i aftë të përballojë ngarkesën e punës.

Gjithashtu, sipas komisionit nuk ka respektuar nenin 379 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit marrja e vendimit nuk mund të shtyhet, përveçse në rast pamundësie absolute dhe shtyrja vendoset nga kryetari me urdhër të motivuar. Të gjitha seancat gjyqësore kanë filluar me vonesë, pa u pasqyruar në procesverbal shkaku i fillimit të tyre me vonesë.

Sipas komisionit, nga kjo praktikë e gabuar duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka aftësi për të kryer procedura gjyqësorë dhe ka sjellë për pasojë uljen e transparencës së zhvillimit të gjykimeve në këtë gjykatë.

Komisioni është ndalur edhe tek ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale që gjykata ka lehtësuar, duke lehtësuar pozitën e të pandehur, edhe pse analiza e vlerësimit të fakteve dhe dëshmive të dëshmitarëve të pyetur, nuk kanë diktuar treshen gjykuese për të ndryshuar cilësimin juridik të veprës.

Komisioni konkludon se gjyqtari Dervishi ka demonstruar mungesë të aftësive organizative të një gjyqtari, por përfundimet e nxjerra janë të pamjaftueshme për t’u konsideruar si shkaqe për shkarkimin e tij. Ndërkohë, është vendosur të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes së subjektit të rivlerësimit. Në fund, komisioni ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Apelit Shkodër, Luan Dervishi për kriterin e pasurisë, ndikuar edhe nga aspekti profesional.

Facebook Comments

MineralHygienics.com