November 23, 2024

Kosove/ Nazif Mehmeti ish-komandant merret në pyetje për krime lufte

Nazif Mehmeti, një ish-komandant i forcës së policisë ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “Zonën Llapi” të kohës së luftë, u mor në pyetje si i dyshuar të martën dhe të mërkurën në Prishtinë nga prokurorët e krimeve të luftës nga Haga, tha avokati i tij për BIRN.

Avokati i Mehmetit, Tahir Rrecaj, refuzoi të japë më shumë hollësi rreth marrjes në pyetje të klientit të tij nga Prokuroria e Specializuar, e cila po heton krimet e luftës dhe të pasluftës.

“Mund të them vetëm se ai u mor në pyetje për periudhën nga 10-11 tetori 1998 deri në fund të luftës, kur ai ishte komandant i policisë ushtarake për zonën e Llapit,” tha Rrecaj.

Dy figura të tjera të larta të UÇK-së, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, shkuan në Hagë më herët këtë muaj për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Specializuar, por Mehmeti u mor në pyetje në Kosovë.

Megjithatë Rrecaj tha se “kjo nuk ka ndonjë rëndësi ligjore” dhe sugjeroi se qëllimi mund të ketë qenë që të kurseheshin para.

Mehmeti tashmë e ka një dënim për krime lufte. Ai u dënua për krime lufte kundër civilëve nga një gjykatë në Kosovë në vitin 2013 dhe u dënua me 3 vjet burg se bashku me Mustafën dhe një burrë tjetër, Latif Gashin.

Një gjykatë apeli më vonë la në fuqi vendimet kundër treshes, të cilët njiheshin si Grupi i Llapit.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë për detyrë të hetojnë dhe të gjykojnë të dyshuarit për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, në vitet 1998-2000.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale pritet të padisë figura të larta të UÇK-së për krime të dyshuara ku përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Facebook Comments

MineralHygienics.com