Gjykata e Tiranës vendosi sot masën arrest me burg për Avdjol Dobin, adminsitratorin e kompanisë guackë DH Albania.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Dobi nuk është larguar nga Shqipëria, por vendndodhja e tij nuk dihet. Deri më tani Avdjol Dobi nuk i është përgjigjur asnjë prej thirrjeve të prokurorisë për të dëshmuar lidhur me falsifikimin e dokumenteve të kompanisë DH Albania dhe fitimin e dy tenderëve publikë me vlerë 30 milionë euro.
Avdjol Dobi, 26 vjeç, është administratori i DH Albania, dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, një kompani guackë e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara.
Skandali me kompaninë guackë DH Albania u denoncua në dhjetor 2018 nga gazetari Ylli Rakipi dhe deputeti demokrat Agron Shehaj, të cilët bënë publike dokumentet e falsifikuara, me të cilat kompania DH Albania kishte marrë pjesë në tenderin e Unazës së Madhe me vlerë 18 milionë euro. Më pas u zbulua që kjo kompani kishte fituar dhe një tender tjetër me vlerë 12 milionë eruo nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Prokuroria e Tiranës ka nisur prej disa javësh hetimet për këto dy raste dhe dy ish-drejtuesit e OST-së dhe ARRSH-së, Klodian Gradeci dhe Afrim Qendro, të dy te larguar nga detyra, kanë dhënë dëshmitë e tyrë në prokurori.