November 23, 2024

Gjermania hap vende pune për emigrantët

Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin OECD shikon “progres të ndjeshëm” në integrimin e migrantëve në Gjermani. OECD prezantoi një studim në Gjermani, ku theksohet, se sidomos rezultatet e nxënësve migrantë në shkolla dhe integrimi në tregun e punës kanë shënuar progres të dukshëm. “Konkluzioni bazë i studimit për Gjermaninë është shumë pozitiv”, thotë Thomas Liebig, ekspert i OECD-së për migrimin dhe integrimin në bisedë me DW. “Ka sukses të dukshëm, si për sa i përket migrantëve të sapoardhur, ashtu edhe gjeneratës së dytë, edhe këtu shohim tendenca pozitive.”

Sipas OECD numri i migrantëve që kanë sot një punë është rritur me 8% në 10 vitet e fundit. Hendeku mes gjermanëve dhe migrantëve në tregun e punës po mbyllet, gjë që nuk është kështu në të gjitha vendet e industrializuara. Në Francë për shembull, po ashtu vend një destinacion për migrantët, me tendencë të migrantëve të pakualifikuar, shanset për punë të vendasve dhe migrantëve janë shumë të ndryshme. “Në trendin global, më mirë paraqiten vende si Kanadaja”, thotë Liebig, “sepse ata përveç migrantëve si Gjermania që ka pranuar mjaft refugjatë, kanë marrë edhe migrantë të kualifikuar për punë.”

Edhe në aspektin arsimor fëmijët e migrantëve shënojnë përmirësime. Në testet e PISA-s në vitet 2000-2015 para ardhjes së një milionë refugjatëve, kompetenca e leximit ka shënuar një rritje me 50 pikë. Një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me fëmijët gjermanë, ku treguesi të thotë vetëm një përmirësim me 17 pikë. Liebig shikon një problem tek diplomimet e certifikatat e shkollimit profesional, sepse këtu hendeku mbyllet vetëm me të mirëkualifikuarit. “Tek personat me pak kualifikime kemi një numër të madh pasardhësish të migrantëve që kanë maksimalisht vetëm nivelin e dytë të shkollës së mesme. Këtu nuk ka ndodhur shumë në 10 vitet e fundit.”

Më shumë migrantë në shërbimin publik

Gati një çereku i fëmijëve të migrantëve në Gjermani nuk kanë as maturë dhe as shkollim profesional të përfunduar. Në këtë drejtim Gjermania qëndron më mbrapa vendeve të tjera të BE, sipas OECD. Ministrja e shtetit për Integrimin në Gjermani, Anette Widmann-Mauz kërkon ta ndryshojë këtë. “Ne duhet të bëjmë përmirësime në njohjen e diplomave dhe të forcojmë gratë, të drejtat e tyre.” Ajo i jep rëndësi nxitjes së mësimit të gjuhës gjermane që në kopshte, me qëllim që të gjithë fëmijët të kenë të njëjtat shanse. Po ashtu duhet të ketë më shumë hapje ndërkulturore të shërbimit publik ndaj migrantëve, thotë ministrja e shtetit për Integrimin. Vetëm 8,5% e fëmijëve të migrantëve janë pjesë e shërbimit publik. Në grupin krahasues të 15-34 vjeçarëve pa sfond migracioni, kjo shifër është më e lartë, 17%.

Shembull në këtë drejtim është Suedia, thotë Liebig. “Tek gjenerata e dytë vendet që zhvillojnë një politikë integrimi mjaft aktive kanë rezultate më të mira.” Migrantët në Gjermani po ashtu thonë se përjetojnë më pak diskriminim për shkak të racës, ngjyrës apo etnisë. 11% shprehen se kanë përjetuar diskriminim, para 10 vjetësh kjo shifër ishte 15%. /DW

Facebook Comments

MineralHygienics.com