Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi në pritjen e trupit diplomatik: “Komunikim politik dhe të drejttpërdrejtë në rajon, në rradhë të parë me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paraqiti mbrëmjen e së enjtes (10.01)në një pritje për trupin diplomatik të akredituar në Tiranë hapat që Shqipëria po ndërmerr për të rritur atë që ai e quajti “komunikim politik dhe të drejttpërdrejtë në rajon, në rradhë të parë me shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi”.
“Në pranverë do të hapim kufirin me Kosovën. Kemi marrë të gjithë regjimin Shengen, e kemi përkthyer nga fillimi në fund, i jemi nënshtruar një procesi teknik shumë të detajuar mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës, për të garantuar të gjithë parametrat e sigurisë dhe lirinë e lëvizjes, pa cënuar asnjë standard të garancive që japim si një vend që përfiton nga regjimi i liberalizmit të vizave”, tha kryemnistri Rama.
Ai bëri me dije se “të njëjtën gjë Shqipëria do të bëjë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, dhe do të dëshironte një kufi fluid edhe për të gjithë zonën europiane të Ballkanit Perëndimor, sipas modelit Shengen”.
Ana Brnabic-hap drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe?
Hapja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës është paralajmëruar më herët nga qeveria e Tiranës. Një hap i tillë shihet nga Serbia nga njëra anë si një kërcënim serioz për vazhdimin e dialogut me Kosovën dhe nga ana tjetër si një hap drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe. Kryemnistrja e Serbisë, Anna Brnabic theksoi ditët e fundit në Beograd se “vendimi politik për të fshirë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ҫon, me sa duket, në krijimin e Shqipërisë së Madhe”.
Ky hap sipas politikanëve serbë pengon dhe ngadalëson dialogun për arritjen e një marrveshjeje Prishtinë – Beograd dhe përshpejton krijimin e Shqipërisë së Madhe. Acarimit të marrdhënieve Prishtinë-Beograd, pengimit dhe ngadalësimit të dialogut, sipas tyre, i shërben edhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës, edhe rritja 100% e taksës për mallrat që Serbia eksporton në Kosovë. Kryeministri Rama ka kundërshtuar në mënyrë konseguente interpretime të tilla të Serbisë për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Shqipëria inkurajon një marrveshje përfundimtare Kosovë – Serbi
Por kreu i qeverisë së Tiranës sapo ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj dialogut Kosovë- Serbi . Në pritjen për trupin diolomatik, të enjten në mbrëmje (10.01)ai tha: “Shqipëria mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të pranohet dhe të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian”.
Deklarata e Ramës vjen pas konfirmimit të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, në fillim të kësaj jave nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijanancic në kuadër të takimit në Bruksel të përfaqësuesve të ekipit negociator të Prishtinës me Federica Mogherimin, përfaqësuese e lartë e BE për politikën e Jashtme. Dhe kur Forumi Ekonomik Botëror, në Davos, Zvicër, ku pritet të marrin pjesë dy presidentët Thaçi dhe Vuçiç është në prag. Prishmëritë nga Forumi Ekonomik Botëror janë për një progres potencial drejt normalizimit të marrdhënieve Kosovë- Serbi. Në këtë Forum pritet të marrin pjesë edhe Presidenti i SHBA, Trump dhe politikanë drejtues të BE, që janë garantë, nëse mundësia e një marrveshjeje përfundimtare Kosovë – Serbi do të ecë përpara.
Një Ministër i Jashtëm i Shqipërisë nga Kosova?
Bashkë me hapjen e kufirit Kosovë- Shqipëri, duket se Ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të jetë Gent Cakaj, nga Kosova, aktualisht zv.Ministër i Jashtëm për integrimin europian. Presidenti Ilir Meta, refuzoi të enjten( 10.01.2019) emërimin e tij në këtë post, të propozuar nga kryeministri Rama, në fund të dhjetorit të kaluar, kur bëri largoi zv.kryeministren dhe shtatë ministra nga qeveria e tij e përbërë nga 12 poste ministrore.
Meta argumenton refuzimin e tij me profilin e 28 vjecarit nga Kosova, Genti Cakaj. Sipas presidentit ai “ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”. Por pavarësisht refuzimit për dekretimin e Gent Cakajt dhe mosshkarkimin e ministrit të jashtëm aktual, Ditmir Bushati, kryemnistri Rama në fjalën që mbajti në pritjen për trupin diplomatik tha për Gent Cakajn se: “cilësitë e shqiptarit të ri nga Prishtina, me një dituri të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, do të keni mundësinë t’i konstatoni nga afër. Ai e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i ardhshëm i Europës dhe Punëve të Jashtme në një mënyrë tejet të pazakonshme në pazakonshmërinë e mjedisit tonë politik dhe publik.”
The Dw