Të martën për herë të parë do te mbahet takimi mes ekipit negociues te Kosovës me Serbinë dhe Federica Mogherinin në Bruksel, që është ndërmjetësuese në dialogun me Serbinë, që aktualisht ka ngrirë. Ekipi negociator refuzohet nga opozita.
Grupi negociator i Kosovës që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi i tij në Kuvendin e Kosovës në nëntor të vitit të shkuar, megjithë kundërshtimin e partive opozitare. Çështja e të pagjeturve është tema e vetme e konfirmuar që do të diskutohet në Bruksel, ndërsa, thuhet se ky takim i pari i këtij lloji më shumë cilësohet si një takim konsultues, sesa negociues. “Shërbimi i Jashtëm Diplomatik (EEAS) e ka ftuar Ekipin e Dialogut nga Kosova për konsultime, më 8 janar, pas themelimit të tij nga Kuvendi”, citohet të ketë thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Federica Mogherinit.
Takim konsultativ
Ndërkohë, njëri nga kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj, para nisjes ka thënë se “në Bruksel, do të tregojnë përkushtimin e Republikës së Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë”. “Do të shkojmë për të dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për dialog. Më tepër është një takim konsultativ, për të parë dhe për të informuar njëri tjetrin, se si do të vazhdojmë me dialog. Do t’i paraqesim qëndrimet e delegacionit të Kosovës në Bruksel”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, duke bërë të ditur se ekipi negociator është i koordinuar mirë edhe për temat, për të cilat do të flitet në Bruksel.
Nga ana tjetër ekipi dialogues i Kosovës ndeshet me kundërshtimin e ashpër të partive politike opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosja. Këto dy subjekte politike thonë se “ky delegacion nuk përfaqëson vullnetin e shumicës qytetare”, pasi “ai përbëhet nga parti shumë të vogla”.
Akuza e kundërakuza
Gjatë fundjavës ka pasur akuza e kundër-akuza nga vetë krerët e partive politike në pushtet dhe të atyre në opozitë lidhur me pjesëmarrjen -përkatësisht – mospjesëmarrjen e opozitës në grupin e dialogut, edhe pse në këtë grup ata kanë dy vende të rezervuara. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se “asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës”. “Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë, në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë”, shkroi Enver Hoxhaj.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se LDK, nuk do t’u shërbejë partive në pushtet. “Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e Kosovës: shtet-formuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë. I merr vendimet vet. Të gjithë atyre që brengosen dhe derdhin lotë krokodili për LDK-në, nga fakti se LDK nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste, u them se ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, sepse ky është edhe një argument shtesë se nuk kemi asgjë të përbashkët me ta. LDK është e Kosovës dhe ajo vendos vetë si do t’i shërbej në mënyrën më të mirë Kosovës”, shkroi kreu i LDK-së Isa Mustafa.
Kosova kushtëzon heqjen e taksës së mallrave ndaj Serbisë
Sidoqoftë, dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi tash për tash është i ngrirë që nga koha kur qeveria e Kosovës ngriti taksën prej 100 për qind për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Autoritetet e Serbisë thonë se ato nuk marrin pjesë në dialog, derisa Prishtina ta heqë taksën. E qeveria në Prishtinë sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, “nuk e ka ndërmend që ta heqë taksën”, përderisa siç thotë, “Serbia ta ndalë agresionin politik e diplomatik ndaj shtetit të Kosovës”.
Disa shenja më optimiste vijnë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se “nëse i jepet rrugë e qartë dialogut me synim arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, Kosova mund ta shqyrtojë mundësinë e heqjes se taksës.”
“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The ëashington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, shkroi në profilin e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
DW