November 24, 2024

Blerja e 258 milionë eurove nga BSH nuk e ndali forcimin e lekut

Banka e Shqipërisë bëri të ditur të premten se ka blerë 258 milionë euro në tregun valutor gjatë periudhës janar-shtator, nga të cilat, afro 180 milionë ishin blerje për të ndaluar forcimin e lekut.

Banka e Shqipërisë kreu blerje të përmasa të jashtëzakonshme në muajt qershor, korrik e gusht me synimin për të ndaluar forcimin e mëtejshëm të lekut ndërsa duket se hoqi dorë nga blerjet gjatë muajit shtator, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore që u publikuan të premten.

Në total gjatë këtij viti BSH bleu gjithsej 258 milionë euro, një shifër kjo e barabartë me afro 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rreth 78 milionë euro ishin blerjet e programuara për llogari të shtimit të rezervës valutore të vendit ndërsa 180 milionë ishin blerjet e kryera në qershor, korrik dhe gusht. Kulmi duket se u shënua në muajin korrik me 72 milionë euro të blera.

Banka e Shqipërisë shpalli ndërhyrje të jashtëzakonshme në 6 qershor pas forcimit të shpejtë të lekut në tregun e këmbimit valutor. Forcimi i lekut sugjerohet se është pasojë e të ardhurave në valutë nga aktivitetet e paligjshme të shqiptarëve në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, kryesisht trafik droge. Leku është forcuar nga kuota 140 lekë për euro në fund të vitit 2016 në 123 lekë për euro aktualisht. Gjatë këtij viti, leku është forcuar nga 133 lekë për euro në 123.

Forcimi i shpejtë i lekut ka shkaktuar shqetësime mes sektorit relativisht të vogël eksportues por me peshë të rëndësishme në punësim, të njohur si fason apo materjalet me porosi. Për shkak se këto sektorë kanë vlerë të shtuar të paktë dhe paguajnë rrogat në lekë përkundrejt të ardhurave në euro, forcimi i shpejtë i lekut i ka gërryer një pjesë të konsiderueshme të fitimeve bruto.

Situata për këtë sektor pritet të përkeqësohet më tutje falë vendimit të qeverisë për të rritur pagën minimale nga 24 mijë në 26 mijë lekë, për shkak se shumica dërrmuese e të punësuarve në këtë sektor punojnë me pagë minimale.

Banka e Shqipërisë ka blerë shuma të vogla valute gjatë viteve të mëparshme ndërsa shtoi blerjet në vitin 2017 në 72 milionë eurà. Reportel.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com