Dalin detaje të reja nga 17-vjeçarja Brisilda Gjikolaj, vajza e cila mbeti e vrarë nga një atentat mbrëmjen e kaluar në Laprakë, ndërkohë që i dashuri i saj u plagos me një plumb në shpatull.
Ajo ka lindur në Kurbnesh të Mirditës. Prindërit e 17-vjeçares para disa vitesh janë divorcuar. Mamaja e saj jeton në Itali, ndërkohë që i ati banon ende në Kurbnesh.
Dy fëmijët, vajza dhe djali që është pak më i vogël banojnë në Tiranë. Këtë vjeshtë brenda dy muajve dy fëmijëve u kanë vdekur gjyshërit që banonin në Kurbnesh.
Kujtojmë se Gjikolaj u qëllua me një plumb në kokë, ndërsa Bengo, i dashuri i saj mori një plumb në shpinë. Edhe pse i plagosur ai i ka dhënë makinës deri në spitalin e Traumës, po përpjekjet për të shpëtuar të dashurën e tij kanë qenë të dështuara.
Ngjarja mendohet se ka ndodhur pas një sherri që Benga ka pasur me disa të rinj të tjerë, në një nga lokalet e zonës, pak minuta para vrasjes. Policia thotë se ka zbuluar autorin dhe është vënë në ndjekje të tij, po për arsye hetimi nuk jep detaje të tjera.
Deri tani nuk ka asnjë person të ndaluar për këtë ngjarje. Banorët e zonës janë shprehur se kanë dëgjuar të shtënat e armës së zjarrit (më shumë se katër), ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët.
Deri më tani dy janë pistat e hetimit, e para se të shtënat erdhën për shkak të xhelozisë, se adoleshentja ka patur një lidhje më herët, dhe se autori i vrasjes është konfliktuar me Bengën.
Ndërsa pista e dytë është ajo e konflikteve të mëparshme të Bengës, dhe shantazhit që ky i fundit i ka bërë 2 vite më parë, ish-të dashurës së tij.